Kongresi i SHBA-së adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginë

21:15 | 21 Janar 2026
E.H

Gjatë një seance të mbajtur në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar projektligjin e tij, Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, duke theksuar nevojën për llogaridhënie dhe mbikëqyrje ndaj trajtimit që Serbia u bën pakicave të saj etnike.

Ai ka theksuar se, përveç luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë dhe se tensionet ndërmjet qeverisë serbe dhe pakicës shqiptare vazhdojnë të jenë një problem i madh. “Si kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, muajin e kaluar drejtova një seancë dëgjimore për të promovuar balancë në Ballkanin Perëndimor,” ka thënë Self.

Kongresmeni ka përmendur shembuj konkretë të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke përfshirë pasivizimin e adresave të banimit, që ka çuar në tkurrjen e komuniteteve shqiptare, përfshirë Medvegjën, ku popullsia është zvogëluar nga 4,000 në afërsisht 400-500 shqiptarë. Ai gjithashtu ka theksuar se shqiptarët përballen me mohimin e sigurimit shëndetësor, pengesa për të zotëruar pronë, për të gjetur punë dhe për të votuar.

“Ky pasivizim i adresave ka rezultuar në tkurrjen e komuniteteve shqiptare, përfshirë Medvegjën në rajonin e Luginës së Preshevës, ku popullsia shqiptare është zvogëluar nga 4,000 në afërsisht 400 deri në 500 shqiptarë. Dhe ky është vetëm një shembull i diskriminimit të raportuar gjerësisht. Shkelje të tjera të dyshuara përfshijnë refuzimin e Beogradit për të njohur diplomat dhe gradat e fituara në Kosovë, pengimin ose ndalimin e teksteve shkollore për nxënësit shqipfolës, si dhe përdorimin e forcave të rendit për të marrë në pyetje, kërcënuar dhe frikësuar shqiptarët etnikë lokalë pa proces të rregullt ligjor,” ka deklaruar Self.

Ai mes tjerash ka theksuar se këto akuza tregojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë pjesën e tyre për ta mbajtur Republikën e Serbisë përgjegjëse, duke i ofruar pakicës së saj shqiptare të njëjtat të drejta dhe mundësi që ajo i kërkon për pakicën serbe etnike në Kosovë.

Në videon e publikuar nga faqja Albanians for America, thuhet se anëtarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kanë adresuar shqetësimet e vazhdueshme për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në jug të Serbisë — çështje që shpesh kanë mbetur jashtë vëmendjes ndërkombëtare./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale