Komandant Malisheva pëson sulm në zemër, gjendja e tij stabile

20:19 | 30 Dhjetor 2021
Gita

Dardan Krasniqi, i cili është vëllai i Muhamet Krasniqit, apo i njohur si Komandant Malisheva, ka bërë të ditur se ky i fundit ka pësuar një sulm kardiak.

Krasniqi tha se fal shokëve të tij, personelit të burgut dhe personelit mjekësor të Spitalit të Shkupit, Komandant Malisheva e ka kaluar këtë sulm dhe gjendja e tij është stabile.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, vëllau ynë Muhameti – Komandant Malisheva, ka pasur një sulm kardiak të cilin fal shokëve të tij, personelit të burgut, personelit mjekësor të Spitalit të Shkupit – përmes ndërhyrjes së shpejt, e ka kaluar dhe këtë sfidë dhe ndodhët në gjendje stabile momentale në repartin intensivë në Shkup ku i janë vendosur stendat”, ka shkruar vëllai i Komandant Malishevës, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai ka falënderuar institucionet e Maqedonisë së Veriut për përkujdesjen, shokët e Komandant Malishevës të cilët gjenden në burg dhe Ambasadën e Kosovës në Shkup.

Kujtojmë se Muhamet Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva është njëri nga të burgosurit e Grupit Kumanova.