KMSHK kërkon që në Kodin e mediave të përfshihet edhe kapitulli për sinjalizuesit

17:37 | 15 Prill 2019

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës organizoi sot një tryezë diskutimi për plotësimin e Kodit të Mediave të Shkruara në mënyrë që të përfshihen edhe disa nga ndryshimet të cilat i imponon dinamika e rrjedhave edhe në shoqërinë kosovare.

Të ftuar për të diskutuar për këto ndryshime ishin: Imer Mushkolaj, kryetar i KMShK-së, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, dhe Florent Spahija, këshilltar ligjor i KMShK-së.

Gjatë diskutimeve ku morën pjesë kryeredaktorët e mediave, gazetarë, dhe përfaqësues të organizatave që merren me media, u theksua se KMShK duhet të vendosë edhe për ankesat që kanë të bëjnë me përmbajtjen e video-ve të publikuara në mediat online.

Gjithashtu, u diskutua edhe për nevojën që në Kodin e mediave të përfshihet edhe kapitulli për sinjalizuesit, pasi tashmë Kosova ka një ligj që i mbron ata.

Në rekomandime gjithashtu përfshihet një pikë në Kapitullin V në të cilën kërkohet që mediat të respektojnë urdhëresat e gjykatave në rastet kur gjykimet mbahen të mbyllura për arsye të parapara me ligj.

Gjatë kësaj tryeze u theksua nevoja edhe për ndryshime të tjera të cilat së pari do t’u dërgohen gazetarëve, që të japin mendimet e tyre, e pastaj të gjitha rekomandimet të diskutohen në KMShK para se të miratohet versioni përfundimtar i Kodit të Mediave të Shkruara./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara