Kështu do të duket Ura e Ibrit pas heqjes së ‘Parkut të paqes’ (Foto)

20:39 | 10 Korrik 2015
M. A.

Portali Veriu.info ka siguruar skicën e cila tregon pamjen se si do të duket Ura e Ibrit, pasi që të hiqet i ashtuquajturi ‘Parku i paqes’.

Burime të këtij portali bëjnë të ditur se për këtë marrëveshje janë dakorduar të dyja palët, në takimet që janë zhvilluar në fund të qershorit. Mirëpo, ashtu siç edhe ka deklaruar pala serbe, përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë pranuar që të nënshkruajnë marrëveshje, përveçse nëse nënshkruhen marrëveshjet për të katër temat e dialogut që janë diskutuar atje.

Siç shihet në skicën për të cilën janë pajtuar të dyja palët, mbi urë do të ketë dy shirita rrugor për automjete. Po ashtu, mbi urë do të ndërtohen edhe dy shirita për qarkullimin e çiklistëve.

Ndërkaq, ndryshim radikal do të ketë në hyrje të Urës së Ibrit nga të dyja anët, pasi që aty do të ndërtohen dy rrethrrotullime.

Veriu.info mëson se në pjesën veriore nga rrethrrotullimi, rruga që tash kalon përmes qendrës së qytetit do të shndërrohet në shesh ku do të mundësohet vetëm qarkullimi i këmbësorëve, ngjashëm siç është edhe sheshi në qendër të Prishtinës e edhe një i ngjashëm që po ndërtohet në pjesë jugore të Mitrovicës.

Në propozimin fillestar ishte paraparë që në vend të xhamisë që ka qenë afër urës në pjesën veriore, të ndërtohet një park i lojërave për fëmijë. Mirëpo, me insistimin e njërit anëtarë të delegacionit kosovar, mësohet se tash aty është paraparë të jetë një hapësirë gjelbëruese, deri në momentin kur të rindërtohet xhamia.

Ura e Ibrit do të renovohet plotësisht pas heqjes së ‘Parkut të paqes’, gjë që parashihet të bëhet me 1 tetor, ku pastaj do të ketë një pamje më të mirë.

uraiber

Shpërndaje në rrjete sociale