Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kosova e lirë dhe e pavarur është arritja më e madhe e kombit tonë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe një hap madhor drejt forcimit të faktorit shqiptar në rajon. Pavarësia e Kosovës përbën një kontribut thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në dymbëdhjetë vite të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, Republika e Kosovës ka arritur suksese të ndjeshme, si në avancimin e brendshëm politik dhe ekonomik, ashtu dhe në forcimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.
Vlen të përmendet veçanërisht se Kosova është bërë shembull në rajon, për sa i përket garantimit të standardeve më të larta për mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave etnike.
KASH kujton se pavarësia e Kosovës u shpall pas një procesi të gjatë dhe shterues negociatash, të drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në bashkërendim të plotë me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sikurse përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillimor të vitit 2010.
KASH mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve. Në këtë kuadër, KASH mirëpret përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
KASH konsideron se angazhimet e vazhdueshme agresive të Serbisë për të sabotuar pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, jo vetëm që bien ndesh me frymën e dialogut, por nuk i shërbejnë askujt dhe janë burim tensionesh të vazhdueshme.
Rezultati i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, duhet jetë në përputhje me parimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruara edhe në dokumentet e Grupit të Kontaktit, dhe Pakon e Ahtisarit. Kjo nënkupton që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të ketë për pikënisje parimin e garantimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe karakterit shumëetnik, siç përcaktohet me kushtetutën e vendit, si dhe garantimin e funksionalitetit shtetëror dhe demokratik të Republikës së Kosovës.
KASH gjykon se vetëm përvijimi i një qasjeje të tillë nga të gjitha palët, garanton paqen dhe stabilitetin afatgjatë, si dhe integrimet Euro-Atlantike të rajonit tonë.
KASH beson se klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë do të dijë të jetë në lartësinë që kërkon situata e tanishme dhe do të punojë e bashkuar, në funksion të interesave madhore të kombit dhe të sigurisë, stabilitetit dhe frymës Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Duke uruar dhe një herë festën e madhe të Kosovës, KASH shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata, që me sakrifica të panumërta, e bënë të prekshme ëndrrën e bukur të Kosovës së lirë e të pavarur. Mirënjohja shkon dhe për të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë të veçantë SHBA-së dhe vendeve të BE, që e kanë mbështetur dhe e mbështesin konsolidimin e pandalshëm të shtetit më të ri të Evropës.
Ura për këmbësorë mbi lumin Ibër nga nesër lëshohet për qark...
“Po du me të këqyr”, Klodi skuq Benitën
Përplaset për vdekje këmbësori në Krujë, shoqërohet në komis...
Ushtria amerikane: Tetë të vrarë nga sulmet e fundit ndaj an...
“E mallkoj ditën kur jemi takuar”, Londrimi ngacmon Edin dhe...
Bislimi publikon letrën nga BE: Komisioni ka vendosur për he...