Në një kohë kur qytetarët po përballen me ngritje të çmimeve nga bizneset, kërkesat për rritje të tarifave të rrymës janë pritur me shqetësim nga qytetarët.
“Faturat nën 80–90 euro nuk na mbesin kurrë. Nëse vazhdon me u rrit, ma mirë le ta ndërpresin, po rrimë në terr”, deklaroi një qytetar.
“S’kanë kufij hiq, vet i dyti jam, aq shumë më vjen, 63 euro më ka ardhur fatura. Unë e kam 365 euro pensionin, por nuk del, e ai që i merr 150 euro?”, tha një qytetar tjetër.
Operatori për Furnizim me Energji Elektrike ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ngritje të çmimit të rrymës për rreth 21%, me arsyetimin e rritjes së shpenzimeve gjatë vitit të kaluar.
“Bazuar në vlerësimet preliminare dhe në të dhënat aktualisht të disponueshme, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është paraqitur në vlerë të përgjithshme prej rreth 528.8 milionë euro. Kjo shumë përfshin edhe rreth 49.5 milionë euro që lidhen me tejkalime të kostove të shkaktuara gjatë vitit 2025, të cilat janë rezultat i kushteve të tregut dhe faktorëve jashtë kontrollit të furnizuesit. Është e rëndësishme të theksohet se kjo vlerë përfaqëson një kërkesë për njohje të kostove dhe jo një vendim përfundimtar tarifor, ndërsa çdo vlerësim dhe miratim përfundimtar do të bëhet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit rregullator dhe konsultimit publik”, kanë thënë ata.
Ndërkaq, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike nënvizon se janë në proces të vlerësimit të aplikacioneve dhe se marrja e vendimit për tarifat e reja do t’u nënshtrohet konsultimit publik dhe procedurave të tjera.
“Vlerësimi i këtyre aplikacioneve është në proces dhe po kryhet nga ekspertët e ZRRE-së, përmes analizës së detajuar teknike dhe financiare, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Pas përfundimit të vlerësimit, raportet përkatëse dhe propozimet tarifore do të publikohen dhe do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejme, përfshirë konsultimin publik, para marrjes së çdo vendimi final”, kanë thënë nga ZRrE.
Sipas njohësve të energjetikës, kërkesat për ngritje të çmimit të rrymës lidhen me rritjen e konsumit dhe kapacitetet e pamjaftueshme për ta mbuluar atë.
“Kapacitetet gjeneruese të Kosovës nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar konsumin vendor. Kemi rritje të konsumit dhe zvogëlim të prodhimit vendor, që kanë bërë që deficitet financiare, në këtë
rast të KESCO-s, të rriten dhe kjo është arsyeja që kemi ardhur te këto pasoja”, ka thënë Adhurim Haxhimusa, njohës i energjetikës.
“Konsumi është më i lartë për shkakun se kemi edhe më shumë pajisje efiçiente. Shumica e qytetarëve janë pajisur edhe me subvencione, pastaj është rritur kërkesa për energji elektrike. Shtimi i pajisjeve e ka ngritur kërkesën për energji elektrike”, ka thënë Lulzim Beqiri.
Operatorët energjetikë gjatë vitit të kaluar kishin kërkuar ngritje të tarifave të rrymës deri në 35%. Megjithatë, ZRRE pati marrë vendim që të njëjtat të ngrihen për 16.1%./rtk
Dallaveret me vota/ 1 muaj paraburgim për 5 komisionerë të P...
Vranësira, shi e borë – parashikimi i motit për fundjavë
KESCO thotë se iu rritën shpenzimet, qytetarët kundërshtojnë...
Kurti aludon se më pak mjekë po ikin nga Kosova- Thotë se sf...
Shkencëtarët zbulojnë në hapësirë një molekulë që jep sinjal...
Vetura godet një këmbësor në Prishtinë, deklarohet policia