Kërkohet veçim i procedurës për Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë derisa të përfundojë ai për krime lufte

16:23 | 13 Maj 2025
E.H

Sophie Menegon, avokate e Hashim Thaçit ka kërkuar veçimin e procedurës për klientin e saj në rastin kundër administrimit të drejtësisë derisa të përfundojë procesi tjetër gjyqësor, ku ai akuzohet së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte.

Kërkesa e parashtruar nga mbrojtja, është dorëzuar më 7 maj 2025, ku thuhet se rasti i Thaçit për krime lufte është në një fazë vendimtare, por edhe intensive për mbrojtjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Menegon thotë se edhe pse dëshmitari i fundit në këtë rast ka dëshmuar më 27 mars 2025 dhe paraqitjen e provave Prokuroria e ka mbyllur më 15 prill, ritmi i punës për mbrojtjen nuk është zbutur për shkak se tani është në përgatitjen e mocionit për rrëzimin e akuzave.

Sipas avokates, në rast që mocioni është i pasuksesshëm, atëherë periudha pasuese në këtë rast do të përfshijë rastin e viktimave e më pas edhe të mbrojtjes. Veç kësaj, ajo ka theksuar se mbrojtja është duke bërë hetime për të paraqitur çështjen e saj, e që këto hetime kërkojnë kohë dhe përfshirje aktive të Thaçit.

Përmes parashtresës së lartpërmendur, duke treguar për kompleksitetin e rastit, avokatja Sophie Menegon që përfaqëson Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë, ka thënë se ka mundësi që në atë për krime lufte, parashtrimet përfundimtare të jenë në fund të 2025-ës ose në fillim të 2026-ës.

“Parashtresat përfundimtare të gjykimit dhe argumentet përmbyllëse priten të pasojnë ose në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026. Deri atëherë, mbrojtja e rastit 06 (për krime lufte) do të jetë e përqendruar në shqyrtimin e provave voluminoze të çështjes me qëllim hartimin e parashtresës përfundimtare”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.

Menegon thotë se rasti kundër administrimit të drejtësisë është më i kufizuar në krahasim me atë për krime lufte.

Sipas saj, në rast që mocionet paraprake në këtë rast përfundojnë deri në qershor të 2025-ës, seancat gjyqësore në këtë rast mund të caktohen pas pushimeve verore.

Si rrjedhojë, ajo thotë se është shqetësuese për Thaçin pasi ai do të përballet me periudhat më kritike të dy procedurave penale në të njëjtën kohë.

Menegon potencon se aktualisht i gjithë ekipi i Thaçit është i përfshirë plotësisht në rastin për krime lufte dhe se do të ishte e pamundur që Thaçi të marrë një gjykim të drejtë në këto rrethana në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

“Do të ishte e pamundur që z. Thaçi të marrë një gjykim të drejtë në këto rrethana, që do të thotë se është e nevojshme një shtyrje e rastit aktual, të paktën për aq sa kanë të bëjnë akuzat me z. Thaçi”, thuhet në parashtrim.

Në parashtresën e saj, avokatja Sophie Menegon thotë se asnjë prej tribunaleve ndërkombëtare nuk kanë imponuar ndonjëherë dy gjykime njëkohësisht ndaj një personi të vetëm.

Sipas saj, në të gjitha rastet kur një i akuzuar është përballur me procedura të shumta penale, gjykimet janë zhvilluar në mënyrë të njëpasnjëshme ose njëri është shtyrë.

Ajo mori shembull edhe një rast nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, e po ashtu edhe në atë për Ish-Jugosllavinë.

“Në ICTY, kur janë ngritur akuza për përçmim ndaj një personi që tashmë ishte i akuzuar në një rast kryesor, procedurat në rastin kryesor janë pezulluar. Edhe pse kjo mund të jetë bërë për arsye të ndryshme, pasojat ishin që i akuzuari nuk është përballur me dy gjykime të njëkohshme. Në rastin Simiq, kur akuzat për përçmim u ngritën ndaj njërit prej të akuzuarve, Milan Simiq, pak para fillimit të planifikuar të gjykimit në qershor 1999, gjykimi kryesor u pezullua dhe nuk rifilloi deri pas shpalljes së pafajësisë për përçmim ndaj Simiq”, thuhet në parashtresë.

Gjithnjë sipas parashtresës, do të ishte krejtësisht e padrejtë që Thaçi dhe ekipi i tij mbrojtës të obligohen që të përgatiteshin për një rast të Prokurorisë në çështjen 12 (kundër administrimit të drejtësisë), e po ashtu njëkohësisht të jenë në përgatitje të çështjes së tyre në atë për krime lufte.

Për Thaçin, Menegon thotë se duhet të shqyrtojë vëllime të mëdha materialesh, të takohet me ekipin e tij për udhëzime për çdo aspekt të mbrojtjes së tij- dhe si rrjedhojë kjo punë pritet të intensifikohet në rast që lind nevoja që mbrojtja ta paraqes mocionin e saj pas vendimit për mocionin.

Veç kësaj, Menegon përmend se ZPS-ja ka ekipe të ndara për të dy rastet, ndërsa Thaçi dhe mbrojtja e tij janë të detyruar që njëkohësisht të merren me të dyja çështjet dhe të gjitha procedurat që rrjedhin nga ato.

Po ashtu, sipas saj, gjykimet paralele mund të ndikojnë që Thaçit t’i minimizohet koha jashtë sallën se gjyqit e cila është menduar që të shfrytëzohet për shqyrtimin e dokumenteve të nevojshme dhe për t’u takuar me ekipin e tij ligjor.

“Nëse të dy gjykimet paralele vazhdojnë, e vetmja mënyrë e mundshme për të shmangur një shkelje të të drejtave të z. Thaçit për pjesëmarrje do të ishte ngadalësimi i ndjeshëm i ritmit të të dy gjykimeve, për t’i dhënë kohë më shumë z. Thaçit për t’u përgatitur për secilin hap të procedurave para se ato të ndodhin. Megjithatë, siç diskutohet më poshtë, kjo do të dëmtonte të drejtat e bashkë të akuzuarve të z. Thaçit”, thuhet në parashtrim.

Sipas Sophie Menegon, të dyja çështjet e ngritura ndaj Thaçit janë thellësisht të ndërlidhura edhe pse ajo kundër administrimit të drejtësisë është iniciuar si procedurë e veçantë. Ajo thotë se kjo çështje ka të bëjë me pretendime se urdhrat e dhënë në çështjen për krime lufte janë shkelur apo edhe se është nxjerrë informacioni konfidencial duke përfshirë edhe ndikimi tek dëshmitarët.

Ajo thotë se ZPS-ja ka pasur një qasje të plotë në të dy dosjet që nga fillimi i tyre dhe se ekipi i saj është familjarizuar me kohë për të dy rastet.

Prokurorët që janë në listën e ZPS-së të përfshirë në çështjen kundër administrimit të drejtësisë, sipas avokates, kanë qenë të përfshirë edhe në çështjen për krime lufte, duke përfshirë intervistat ose seancat përgatitore të mbajtura nga ata.

Si rrjedhojë, ajo thotë se barazia e armëve dhe e drejta për përfaqësim juridik të përshtatshëm kërkon që Thaçi mund ta ketë një ekip që është mjaftueshëm i njohur për çështjen për krime lufte dhe që ka kohë të mjaftueshme për t’u përkushtuar në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

“Përndryshe, ZPS-ja do të përfitonte nga një avantazh taktik në krahasim me ekipin mbrojtës të z. Thaçi në Çështjen 12, në dëm të këtij të fundit”, thuhet tutje.

Sophie Menegon në parashtresën e saj për veçim të procedurës ndaj Thaçit ka thënë që e drejta e Thaçit për përfaqësim juridik efektiv nuk mund të sigurohet nëse rasti për krime lufte dhe ai për administrim të drejtësisë zhvillohen paralelisht.

Sipas saj, arsye e parë është ajo financiare, për shkak se krijimi i një ekipi të dytë mbrojtës, sipas saj, mund të kërkonte burime shtesë të konsiderueshme të cilat Thaçi nuk i ka.

“Rregulloret për Ndihmë Juridike të DKGJ-së nuk ofrojnë një zgjidhje për këtë problem, sepse z. Thaçi nuk është i përkrahur sipas kritereve të asaj politike. Megjithatë, z. Thaçi tashmë ka shpenzuar fondet e tij të disponueshme për mbrojtjen në Çështjen 06. Këto shpenzime nuk mund të reduktohen tani, veçanërisht në këtë fazë kritike të gjykimit në Çështjen 06”, thuhet në parashtresë.

Si arsye e dytë, përmendet nevoja e Thaçit për përfaqësim efektiv në çështjen për krime lufte, duke shtuar se disa nga avokatët po bëjnë punë shtesë pa pagesë në çështjen kundër administrimit të drejtësisë.

“Përballë këtyre kufizimeve, rëndësia e paraqitjes së mocioneve paraprake ka kërkuar një zgjidhje urgjente. Tre anëtarë të ekipit juridik të z. Thaçi në Çështjen 06 (Avokati, Bashkëavokati dhe analisti) aktualisht po japin pjesërisht kohën e tyre për këtë çështje, pavarësisht ngarkesës dërrmuese në Çështjen 06. Dy prej tyre po e bëjnë këtë punë shtesë pro-bono, ndërkohë që vazhdojnë punën e tyre të paguar në Çështjen 06, ndërsa i treti po merr kompensim simbolik për punën shtesë në Çështjen 12. Anëtarët e vetëm shtesë të ekipit që z. Thaçi ka mundur të financojë janë një menaxher i çështjes dhe një këshilltar juridik me kohë të pjesshme. Këta dy individë nuk kanë qenë më parë të përfshirë në ekipin mbrojtës të z. Thaçi. Anëtarët e tjerë të ekipit të Çështjes 06 nuk janë në dispozicion për të ndihmuar, pasi të gjithë janë të nevojshëm për volumin e madh të punës që është në pritje në atë çështje”, thuhet në parashtresë.

Si rrjedhojë, Menegon thotë se Thaçi s’ka mjete financiare për të vazhduar financimin e dy ekipeve juridike.

“Megjithatë, emërimi i një ekipi krejtësisht të ri në çështjen aktuale nuk është një opsion. Kjo jo vetëm që nuk do t’i siguronte z. Thaçi përfaqësim të përshtatshëm për çështjen; por është gjithashtu përtej mundësive të tij financiare”, thuhet aty.

Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se për t’u mbrojtur të drejtat e Thaçit për gjykim të drejtë, kërkohet që procedurat ndaj tij të pezullohen deri në përfundim të gjykimit në rastin për krime lufte.

“Një shtyrje do ta lejonte z. Thaçi që të përkushtohej me kohë dhe vëmendje gjatë gjashtë deri në nëntë muajt e ardhshëm për mbrojtjen e tij në Çështjen 06, duke siguruar nivelin e pjesëmarrjes personale që kërkohet në atë çështje. Do t’i lejonte gjithashtu ekipit të tij juridik në Çështjen 06 që të përqendrohej në të njëjtën periudhë vetëm në Çështjen 06, dhe më pas ta përfaqësonin z. Thaçi në Çështjen 12”, thuhet në parashtrim.

Sipas mbrojtjes, një urdhër i tillë bie brenda kompetencave të gjykatëses së procedurës paraprake dhe se procedurat në këtë rast mund të fillonin sërish sapo të bëheshin paraqitjet përfundimtare në rastin për krime lufte që mund të jetë fundi i 2025-ës ose fillimi i 2026-ës.

“Personat e vetëm që mund të pësonin disavantazh nga një shtyrje e tillë janë të pandehurit e tjerë në çështjen aktuale. Megjithatë, të drejtat e tyre mund të mbrohen përmes ndarjes së pjesës së çështjes që i përket z. Thaçi, siç trajtohet më poshtë në Seksionin VII të kësaj kërkese”, thotë parashtresa.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm