Kërkohet shmangia e panikut për sulme eventuale terroriste

19:31 | 5 Korrik 2015
M. A.

Përfshirja e më shumë se 300 kosovarëve në luftën e Sirisë dhe dalja publike e tyre nëpër video të ndryshme ka ngritur shkallën e pasigurisë në vend, raporton KTV.

Të shumtë janë qytetarët që ditët e fundit frikohen nga sulme të ndryshme terroriste në vend.

Kësaj frike për më shumë i ka kontribuar edhe rritja e masave të sigurisë nga Policia e Kosovës. Arrestimet e fundit që kryen institucionet kosovare krijuan pasiguri te qytetarët.

Megjithëse ditët e fundit u përfol për rrezikun nga sulmet terroriste, KTV-ja merr vesh se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka shtuar masat operative.

Ky institucion përjashton mundësinë se ka indikacione për sulme eventuale terroriste në vend. Një burim i ka thënë KTV-së se nuk ka asnjë indikacion të vetëm se dikush mund të kryejë sulme terroriste në Kosovë.

Eksperti i financimit të terrorizimit, Bashkim Zeqiri, mobilizimin e policisë e sheh si masë normale, pasi të njëjtën gjë, sipas tij, po e bëjnë shumë vende të botës, përcjell koha.net. Zeqiri thotë se institucionet duhet të komunikojnë më shumë me opinionin, në mënyrë që të mos e lejojnë përhapjen e panikut, pasi sipas tij, qytetarët duhet të dinë nëse nuk ka rrezik.

Shpërndaje në rrjete sociale