KDI organizon tryezë diskutimi për qëndrueshmërinë financiare të komunave

09:12 | 30 Maj 2016
M. A.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me OJQ POLIS organizon tryezë diskutimi me temën “Sfidat nga krijimi i komunave të reja dhe potencialet e komunave për të siguruar qëndrueshmëri financiare”.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se në këtë tryezë do të diskutohet në lidhje me kapacitetet e komunave ekzistuese në Kosovë për të siguruar qëndrueshmëri financiare dhe ekonomike.

Po ashtu, do të synohet të diskutohet edhe për iniciativat e disa lokaliteteve në Kosovë, të cilat tashmë kanë paraqitur kërkesën për t’u themeluar Komunë dhe ndikimi që mund të ketë në komunën amë.

“Në këtë tryezë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Kryetari i Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, ZenunPajaziti, kryetarët e Komunave të Gjilanit, Lipjanit e Shtimes, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Asociacionit të Komunave të Kosovës, përfaqësues të lokaliteteve që synojnë të marrin statusin e Komunës si dhe përfaqësues nga shoqëria civile”, thuhet në njoftim.

Tryeza do të mbahet sot duke filluar nga ora 11:00, në Lipjan.

Shpërndaje në rrjete sociale