Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit kanë zbuluar mallra me natyrë komerciale dhe mjete monetare të padeklaruara.
Sipas njoftimit, më 6 korrik 2026, një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur për kontroll nga zyrtarët doganorë, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde të kontrollit.
Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asnjë mall apo mjet monetar që duhej të deklarohej tek autoritetet doganore.
Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët kanë zbuluar një sasi malli me karakter komercial, e cila nuk ishte deklaruar sipas procedurave ligjore. Përveç kësaj, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29 mijë e 900 euro para të gatshme, të cilat po ashtu nuk ishin deklaruar.
Dogana e Kosovës ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person ka obligim ligjor të deklarojë mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore, ndërsa mosdeklarimi përbën kundërvajtje doganore dhe mund të rezultojë me masa administrative dhe ndëshkuese.
Gjithashtu, në bazë të rregullave për kontrollin e transportit ndërkufitar të parave të gatshme, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera ose instrumente të negociueshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore.
Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe mund të sjellë masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të mjeteve dhe zhvillimin e procedurave përkatëse.
Në këtë rast, malli i padeklaruar, paratë dhe automjeti janë sekuestruar për vazhdimin e procedurave ligjore. Dogana ka bërë të ditur se ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë procedurat për kundërvajtje doganore dhe vendimet përkatëse për konfiskim sipas dispozitave ligjore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e kufirit doganor, luftimin e tregtisë së paligjshme dhe parandalimin e veprimtarive që cenojnë sigurinë ekonomike të vendit
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...