Kamberi: Nuk mund të pretendojmë raporte stabilizuese mes Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës

13:05 | 20 Nëntor 2022 | Ejona Hyseni

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi në një intervistë ekskluzive për arbresh.info ka folur për sfidat dhe padrejtësitë me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Kamberi, thotë se Serbia në çfarëdo mënyre është duke shkelur të drejtat më themelore të shqiptarëve në Luginë.

“E kemi potencuar disa herë se diskriminimi është sistematik, të cilin shteti i Serbisë e bën për dekada me radhë ndaj shqiptarëve, pavarësisht faktit se u detyrua tre herë që me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Luginës të nënshkruaj tre marrëveshje, në kuadër të së cilës kishte për obligim të afirmoj të drejtat e shqiptare”, thotë Kamberi.

Sipas tij, diskriminimi që u bëhet shqiptarëve në Luginë përfshinë çdo sferë të jetës, duke u nisur nga shkollimi, punësimi, çështjet sociale etje, si dhe çka është më problematike, sidomos për Medvegjën, çështjen e pasivizimit të adresave, ku përmes kësaj metode po mundohet ta shpopulloj Medvegjën me shqiptarët, raporton arbresh.info.

“Pra, është një situatë e vështirë, një situatë diskriminuese që është në kundërshtim me vetë ligjet e Serbisë dhe po ashtu në kundërshtim me aspiratat e  Serbisë dhe pretendimet e saj të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, e sidomos është në kundërshtim me aspiratat e saj për më shumë të drejta për serbët në Kosovë”, shprehet Kamberi.

Serbia, sipas tij, në vazhdimësi po tenton ndërtimin e standardeve të dyfishta të trajtimit të komuniteteve, duke kërkuar maksimumin, që është mbi një maksimum që vetë BE-ja e ka për serbët në Kosovë, dhe njëkohësisht duke u mohuar shqiptarëve këtu në Luginë të drejtat më elementare, bile edhe ato që janë të parapara me legjislacionin e brendshëm.

Deputeti shqiptar në parlamentin serb, foli edhe për çështjen e targave që është bërë problem mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vështirë të prognozosh datën në një çështje kaq delikate çfarë është marrëveshja e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë, por shpresoj se qeveria në Prishtinë ka analizuar mirë situatën dhe ka marr vendimin pas konsultimeve me miqtë ndërkombëtarë. Besoj se ata (Qeveria e Kosovës) do të vazhdojnë në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtar të punojnë në drejtim të një marrëveshje të ardhshme me Serbinë”, pohon Kamberi.

Ai është i bindur se pa përfshirjen e Luginës në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë stabilizim mes ëktyre dy vendeve.

‘Natyrisht, në interes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe është në interes tonin që në kuadër të këtij normalizimi, çështja e Luginës së Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve të jenë pjesë e një marrëveshje të ardhshme”, pohon Kamberi.

Ai shprehet skeptik se BE pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) mund ta çojë dialogun Kosovë-Serbi në një marrëveshje.

Ai ka folur edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur dhe se si e sheh mospjesëmarrjes së Kosovës në këtë iniciativë  si dhe për kontributin e Kosovës dhe Shqipërisë në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit./arbresh.info/Ejona Hyseni/

Intervista e plotë