Kabineti i Osmanit takim me zyrtarin e DASH, i kërkojnë kthimin e dialogut strategjik SHBA – Kosovë

21:30 | 10 Dhjetor 2025
E.H

Shefja e Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Learta Hollaj, së bashku me Këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike,  Donika Kadaj-Bujupi, pritën gjatë javës në takim Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Presidenca njofton se gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme, transmeton Arbresh.info

Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta.

“U potencua gjithashtu angazhimi i Presidentes Osmani për forcimin e koordinimit të përhershëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm. Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e procesit të rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë, si dhe nevoja për krijim sa më të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.

Në takim u rikonfirmua përkushtimin për të çuar përpara projektet strategjike, nxitjen e investimeve amerikane në sektorët me potencial të lartë dhe avancimin e objektivit të përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme