Jo një, por tri seanca këtë javë

11:26 | 6 Dhjetor 2022

Deputetët e Kuvendit duket se do të kenë agjendë të ngjeshur gjatë kësaj jave. Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të jetë jo veç një, por tri seanca të Kuvendit.

E para, të enjten do të jetë seancë e jashtëzakonshme në të cilën deputetët do të votojnë për vendimin për masat emergjente në energji. Ndërkohë, po të njëjtën ditë do të jetë një tjetër seancë, vazhdim me pikat e papërfunduara, kurse të premten një seancë e re e mbushur me pika të rendit të ditës.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Vetëvendosjes në këtë mbledhje të Kryesisë, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.

Ai tha se në seancën e së premtes do të jenë dy pika shumë të rëndësishme .“E para, themelimi i Komisionit për vetingun dhe tjetra Projektligji për Pagat e për Zyrtarët Publikë”.

Kritikat e opozitarit të AAK-së Besnik Tahiri rreth Ligjit për Paga e atij për Zyrtarët Publikë, Rrustemi i ka quajtur të pabaza.

“Projektligji për Pagat e ai për Zyrtarët Publikë janë dy projektligje tejet të rëndësishme të diskutuara në publik, të pritur nga zyrtarët publik, sidomos ky i pagave. Është punuar gjatë nga Qeveria e Kosovës, ka pasur konsultim publik me akterë të ndryshëm për të dhënë komentet e vërejtjet. E konsiderojmë si shumë me rëndësi që të miratohet sa më parë, të ketë qasje efikase nga ana e Kuvendit, prandaj u rendit si një ndër pikat e para në seancën e së premtes. Është shumë me rëndësi që në këtë muaj të kalojë në lexim të parë”, tha tutje, Rrustemi.

Sipas Rrustemit, shefi i deputetëve të AAK-së që kritikoi këto ligje ka drejtuar punën rreth tyre në legjislaturat e në qeveritë e kaluara e siç tha ai Gjykata Kushtetuese atëbotë e kishte rrëzuar si antikushtetues.

Ligjvënësi nga pushteti, nuk kaloi pa u pyetur edhe për dialogun Kosovë- Serbi. Tha se kur bëhet fjalë për këtë proces duhet të ketë unitet politik.

“E kemi thënë në vazhdimësi, kur bëhet fjalë për dialogun politik me Serbinë, spektri politik i Kosovës duhet të jetë unik, nuk duhet të ketë dallime. Natyrisht, do të kemi qëndrim të përbashkët si shtet i Kosovës, si Republikë, dhe këtu nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë diskutim. Mendoj që ka pasur takime të liderëve me kryeministrin, do të ketë komunikim të vazhdueshëm dhe të kemi një qëndrim si shtet në lidhje me këtë çështje”, tha Rrustemi.

Tahiri i AAK-së kritika për Ligjin e Pagave e atë për Zyrtarët Publikë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që të premten të mblidhen në seancë plenare me shumë pika të rendit të ditës. Këtë e ka bërë të ditur shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, pas takimit që pati me Kryesinë.

Seancën e së premtes kreu i deputetëve të AAK-së opozitare e ka quajtur si një nga më të rëndësishmet pasi në trajtim pritet të jetë Ligji i Pagave, por që për të njëjtin pati shumë kritika.

“Për AAK-në kjo është një nga seancat më me rëndësi për shkak që në trajtim vjen ligji i shumëkërkuar, Ligji i Pagave që fatkeqësisht nuk dihet sa është paga e një zyrtari publik për shkak se nuk ka as koeficient”, tha Tahiri.

Kritika pati edhe për ligjin tjetër, atë për Zyrtarët Publik që njëjtë do të jetë për trajtim të premten.

Sipas tij ai nuk është ai Ligji për Zyrtarët Publik, por ligji për kapjen e zyrtarëve publikë.

“Për mua personalisht ai nuk është Ligji për Zyrtarët Publikë, por ligji për kapjen e zyrtarëve publikë, për shkak se interferohet drejtpërdrejtë në kundërshtim me BE-në në sistemin e meritokracisë. Pra, dora politike po zgjatet shumë në kapje të zyrtarëve publikë” tha shefi i deputetëve të AAK-së.

Këto deklarime Tahiri i bëri pasi doli më herët nga mbledhja e Kryesisë për shkak të angazhimeve të tjera si deputet, derisa takimi i këtij organi vendimmarrës të Kuvendit ende po vazhdon meqë në shqyrtim janë mbi 50 pika të parapara sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës. /rtk

Shpërndaje në rrjete sociale