Jetish Maloku: Do të bëjë të mundur të kemi një sistem prokurorial me integritet

11:19 | 22 Janar 2021

Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në konferencën Vjetore të Prokurorëve, tha se duhet të ndihemi krenar për të arriturat e përbashkëta, por dua të ju them se do të vazhdojmë të punojmë së bashku në avancimin e sistemit prokurorial.

Sipas tij,  objektivë ishte që të krijojë kushte më të mira për punë, numër të mjaftueshëm të prokurorëve, raporton arbresh.info

Ky është fjalimi i plotë i tij:

Nuk ka shumë kohë që jam zgjedhur në këtë pozitë, por ka shumë kohë që jam pjesë e udhëheqjes në sistemin prokurorial. Nga kjo perspektivë për mua është një fillim i ri, por edhe për ju do të jetë një fillim i ri sepse pas shumë të arriturave që kishim së bashku në të kaluarën, do të ndeshemi çdo ditë me sfida e punë të shumta të cilat presin vendimin tonë.

Sot ne duhet të ndihemi krenar për të arriturat e përbashkëta, por dua të ju them se do të vazhdojmë të punojmë së bashku në avancimin e sistemit prokurorial përmes aplikimit të standardeve më të larta në vendimmarrje.

Ne së bashku do të vazhdojmë të ngrisim nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve. Ky synim do të bëjë të mundur të kemi një sistem prokurorial me integritet, transparent dhe që gëzon besimin e publikut.

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit vazhdimisht kishte si objektivë që të krijojë kushte më të mira për punë, numër të mjaftueshëm të prokurorëve dhe stafit administrativ si dhe infrastrukturë e pajisje moderne, andaj sot dua ta siguroj çdo të punësuar në sistemin prokurorial se të gjithë ne së bashku do ta arrijmë këtë.

Do të punojmë së bashku me të gjitha njësitë e Këshillit, me Sekretariatin, me  Njësitin e Performancës së Prokurorisë dhe të gjithë partnerët tonë ndërkombëtarë e vendor që të arrijmë objektivat e planifikuara.

Ne do të avancojmë sistemin e planifikimit duke punuar së bashku, do të rrisim buxhetin përmes një bashkëpunimi më të mirë me Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe do ta shpenzojmë buxhetin efektivisht dhe për nevoja të cilat i ka sistemi prokurorial.

Ne do të rekrutojmë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe personelit administrativ dhe do të punojmë së bashku me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që të trajnojmë e specializojmë prokurorët bazuar në nevojat e tyre për ngritje profesionale e etike. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që mbështetën këto zhvillime ndër vite.

Para disa ditësh Këshilli Prokurorial është plotësuar me anëtarë të rinj dhe aktualisht jemi në proces të konsolidimit të komisioneve të përhershme dhe përcaktimit të planeve konkrete të punës.

Ju siguroj se pjesë e këtyre planeve do të jenë forcimi i vazhdueshëm i integritetit të sistemit prokurorial përmes një sistemi të mirëfilltë të rekrutimit të prokurorëve bazuar në mëritë, vlerësimit të performancës së prokurorëve, vendimmarrjes proaktive e cila siguron llogaridhënie dhe punë transparente të mbështetur në ligj dhe në standarde ndërkombëtare. Pa dyshim se në fokus do të jetë edhe trajtimi i rasteve disiplinore dhe ju siguroj që çfarëdo sjellje jo korrekte dhe e qortueshme do të trajtohet seriozisht, shkelësit do të ndëshkohen pa kursyer dhe nuk do të lejojmë të zbehet besimi i publikut, por do të ruhet imazhi i sistemit prokurorial.

Në mes të prioriteteve të Këshillit do të jetë edhe avancimi i statusit të prokurorëve dhe personelit administrativ, ndërsa do të promovohet më tutje dhe aplikohet pa kushte sistemi elektronik i menaxhimit të rasteve si digjitalizimi i proceseve të punës kudo në sistemin prokurorial.

Për të gjithë ata që përcjellim rrjedhat në sistemin prokurorial,

Dua të theksoj se çmojmë lartë dhe llogarisim në mbështetjen e partnerëve tonë nga, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, Ambasada Gjermane, Ambasada e Italisë, UNDP, GIZ, IRZ, OSBE, Këshillit të Evropës etj.

Miq të dashur,

Të gjithë e dimë se sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe prokurorial në veçanti kanë kaluar në periudha të ndryshme reformash, të cilat planifikohen edhe në të ardhmen.

Në një ditë si kjo, ne duhet ti kujtojmë ato zhvillime reformuese, por edhe duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësojmë pozitën tonë, por gjithashtu duhet që të punojmë më tepër dhe për qytetarët e vendit tonë, pa dallim dhe t’u ofrojmë atyre drejtësi.

Të nderuar kolegë prokurorë,

Që të kemi besimin e publikut në punën tonë, ne duhet të punojmë pa u ndaluar dhe të krijojmë një ambient ku ka çasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë. Andaj dua të përmend shkurtimisht se disa nga prioritetet e Këshillit për këtë vit do të jenë:

  • Avancimi i sistemit të administrimit të të gjitha niveleve, përfshirë fuqizimin e kornizës ligjore dhe strukturës organizative përkatëse.
  • Forcimi i integritetit të sistemit prokurorial (prokurorëve dhe stafit).
  • Ngritja e nivelit të llogaridhënies dhe kontrolli permanent i punës.
  • Avancimi i sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve.
  • Ngritja e nivelit të transparencës.
  • Avancimi i kritereve për rekrutim mbi bazë të meritave.
  • Zhvillimi i mëtejmë i sistemit të ngritjes në karrierë.
  • Përmirësimi i vazhdueshëm i planifikimit, buxhetit dhe kushteve për punë.
  • Ngritja profesionale e prokurorëve dhe stafit administrativ.
  • Bashkëpunimi dhe koordinimi me partner vendor dhe ndërkombëtar.

Përfundimisht ju thërras të mbështetni sistemin prokurorial që të funksionojë si i pavarur, profesional, transparent, efikas, efektiv dhe llogaridhënës.

Duke vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj konference, i falënderoj të gjitha ata që punuan rreth organizim të saj dhe ju dëshiroj suksese.

Ju faleminderit!

Lajmet më të lexuara