Janjiqi jep detaje për ndalesën që iu bë Bislimit në Beograd

20:27 | 27 Tetor 2022
E.H

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, organizator i diskutimit të sotëm “Dialogu Diplomatik” në Beograd ku pritej të merrte pjesë Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se zyrtari i Qeverisë së Kosovës ka mbërritur në afërsi të Beogradit, kur është kthyer për në Prishtinë nga MPB-ja e Serbisë, si dhe se ka pasur komplikime të caktuara në pikën kufitare të Merdarës.

Janjiqi thekson se gjithçka që duhet bërë sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe ligjeve serbe është bërë për mbajtjen e këtij takimi, i cili po përgatitet që nga prilli, duke theksuar se është shtyrë për shkak të rrethanave.

“Shpjegimi zyrtar është se Serbia nuk mund të garantojë sigurinë e Bislimit”, tha Janjiqi.

“Në Merdarë është shqyrtuar nëse ky takim është paralajmëruar”, ka thënë Janjiqi për median serbe “Danas”, transmeton arbresh.info.

Ai tha se Forumi për Marrëdhënie Etnike asnjëherë nuk ka njoftuar askënd për takimet, teksa theksoi se në këtë takim janë ftuar deputetë dhe qeveria serbe, si dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, dhe se ata ishin informuar.

“Natyrisht, zyrtari ndërlidhës për Kosovën i ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në komunikim me Forumin si organizator, Qeverinë e Kosovës dhe Serbinë dhe përfaqësuesin e Lajçakut”, thotë Janjiqi.

Ai shton se vetëm sot e ka kuptuar se sa e rëndë është situata dhe se po zgjedh mes luftës dhe paqes.

Në këtë mendim e kanë çuar dy gjëra, njëra ishte mysafiri Besnik Bislimi dhe tjetra deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Me të vërtetë mendoj se kjo dërgon një mesazh të keq për qytetarët e Serbisë, se si një aparat kaq i shtrenjtë nuk mund të garantojë sigurinë e njeriut që erdhi të flasë për perspektivën evropiane të rajonit”, konsideron drejtori i Forumit.

Ai kujtoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në një takim të tillë në vitin 2014 dhe besonte se edhe Bislimi do të lejohej të krijonte kontakte me publikun.

“Qeveria serbe nuk është e vetëdijshme për momentumin dhe po shkon drejt rrënimit, sepse ky ishte momenti për të bërë një gjest politik dhe për të konfirmuar të gjitha fjalët e presidentit të Serbisë që tha se ishte për paqe. Fatkeqësisht, është vërtetuar se këtu është më i fortë ‘deep-state’ dhe se ata që janë për luftë janë më të fortë”, deklaroi Janjiqi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale