Jahjaga s’ka guxim t’i strehojë refugjatët sirianë

14:34 | 9 Tetor 2015
Gita

Në media ishte raportuar se presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kishte kërkuar që shteti i Kosovës të strehonte refugjatë sirianë. Mirëpo kjo iniciativa ishte nisur nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ku përmes një strategjie që kishte hartuar, kishin planifikuar strehimin e më shumë se 2 mijë refugjatëve.

Ndërsa tash presidentja e Kosovës ka heshtur që nga koha kur është përmendur kjo iniciativë. Arbresh.info merr vesh se presidentja e Kosovës nuk ka pasur guxim politikë për ta marr një vendim të tillë për shkak të frikës që në mesin e refugjatëve mund të infiltrohen edhe terrorist.

Një burim brenda Qeverisë së Kosovës i ka thënë Arbresh.info se presidentja ua ka thënë troç se nuk mund të pranojë refugjat.

“Iniciativa ka qenë e Qeverisë së Kosovës, konkretisht e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku një këshilltar i ministrit Arban Abrashi e ka hartuar komplet strategjinë që ka pasur për qëllim paraqitjen e Kosovës si një shtet mikpritës për refugjatët sepse edhe qytetarët e Kosovës ishin refugjatë dikur”.

Në këtë strategji ishte parapa që Kosova të futej në agjendën evropiane se një shtet që solidarizohet me refugjatët ka treguar më tej ky burim. Po ashtu në këtë strategji ishte parapa që strehim t’iu ofrohet refugjatëve deri në 6 muaj, më pas të ndërrojnë vend qëndrim për shtete e BE-së.

Mirëpo presidentja Jahjaga nuk ka dhënë më shenja se Kosova mund t’i mirëpres refugjatët duke mbetur iniciativa vetëm si ide.

Portali arbresh.info ka kërkuar përgjigje nga presidenca , rreth asaj se pse është heshtur kjo çështje, por zyra për marrëdhënie me publikun e Presidencës së Kosovës nuk e ka pa të arsyeshme të jap asnjë përgjigje.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili po ashtu e kishte nisur një iniciativë për strehimin e mbi 2 mijë refugjatëve sirian, por as Abrashi nuk ka dhënë ndonjë përgjigje se pse kjo iniciativë u harrua.

Por, njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se iniciativa e presidentes për strehimin e refugjatëve ishte e mire, por Kosova s’ka kapacitet për refugjatë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani thotë se mosveprimi i institucioneve tjera, sipas tij ka të bëjë kryesisht me mungesën e kapaciteteve të Kosovës për të vepruar shpejt dhe sigurt, sikurse edhe për shkak të situatave të brendshme politike.

Ramadani vlerëson se iniciativa është e mirë, por Kosova ka vështirësi plotë dhe kjo do të sfidonte kapacitetet e Kosovës. Nuk po them se Kosova nuk ka fare kapacitete, por vlerësoj se ato janë të kufizuara.

“Besoj se shprehja e gatishmërisë nga ana e Presidentes Jahjaga që edhe Kosova të jetë pjesë e përpjekjeve perëndimore për strehim të refugjatëve sirianë dhe të tjerëve nga Lindja e Mesme është një qëndrim korrekt dhe që synon dëshminë se shteti i Kosovës ka për qëllim të luajë rolin e vet konstruktiv dhe kontribuues në situata të tilla”, ka thënë Ramadani.

Ai nuk e sheh si rrezik për vendin strehimin e refugjatëve sirian.

“Jo domosdoshmërisht strehimi i refugjatëve paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës. Por, definitivisht, strehimi i refugjatëve nënkupton automatikisht edhe rritje të përgjegjësive për institucionet e sigurisë, rritje e shpenzimeve buxhetore, si dhe vendosje e kësaj çështjeje në një prioritet afat-shkurtë të mekanizmave të sigurisë”, është shprehur Ramadani.

Megjithatë sipas tij, duke pasur parasysh faktin se gjendja politike në Kosovë është mjaft e tensionuar, institucionet e sigurisë kanë vështirësi në prioritetizimin e çështjes së refugjatëve për muajt në vijim.

Ndërsa sot zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi në konferencën e Luksemburgut ka thënë se Kosova është e gatshme t’i pranojë rreth pesëqind refugjatë./G. Lushi/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale