Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kritikuar ashpër veprimin e deputetes së PDK-së, Flora Brovina, e cila gjatë seancës së sotme ka publikuar një fotografi, ku shihet dhunimi i një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, raporton arbresh.info.
Jahjaga përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, ka thënë se publikimi i këtyre fotografive është një goditje e rëndë që u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
Publikimi i kësaj fotografie, sipas saj cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe ritraumatizon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Veprimi i deputetës është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka deklaruar ajo.
Jahjaga ka kërkuar nga autoritetet drejtësisë që të hetojnë veprimin e Brovinës dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.
“Publikimi i fotografisë është një goditje e rëndë për dinjitetin e gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët! U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!”, ka shtuar Jahjaga.
Në fund Jahjaga ka thënë se “të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike”.
Shtetet e Gjirit raportojnë sulme të reja me raketa dhe dron...
Rinisin punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në Prish...
Brikena e pranon për herë të parë: Kam pëlqim për Mateon
Hajnat depërtojnë me forcë brenda një shtëpie në Gjakovë, vj...
Theret me thikë një person në Prishtinë
Rrahje mes pesë personave në Vushtrri, dy prej tyre bëhen pë...