Jacobson: Kosova shembull në Evropën për trajtimin e romëve

21:02 | 8 Prill 2015
M. A.

Përmirësim të kushteve të jetesës në fushën e arsimit, shëndetësisë si dhe vende të punës u është premtuar komunitetit rom në Ditën Ndërkombëtare të tyre, transmeton KTV.

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë takimit që ka pasur me përfaqësues të komunitetit rom, kërkoi nga ta që të jenë më aktivë dhe të shprehin kërkesat e tyre nëpërmjet Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili udhëhiqet nga vetë ajo.

Ndërkaq ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, vlerësoi se Kosova është shembull për Evropën se si mund të jetë një shtet për komunitetet.

Megjithatë, sipas saj, duhet të bëhet edhe më shumë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë kërkoi nga institucionet që të bëhet më shumë për këtë komunitet.

Këtyre kërkesave se duhet të bëhet më shumë punë për këto komunitete iu është përgjigjur kryeministri Mustafa, i cili shprehu zotimin e tij se do të angazhohet maksimalisht në punësimin e tyre.

Përfaqësuesit e komunitetit rom në parlament arsimimin e shohin si zgjidhjen e vetme për të pasur perspektiv vetë ky komunitet, përcjell koha.net. Në Ditën ndërkombëtare të tyre komunitetin rom e kanë uruar edhe zyrtarë të tjerë institucionalë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme