Departamenti i Inspektimit në kuadër të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm në fushën “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, për të vlerësuar praktikat e përdorimit të pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve si dhe bazuar në informacionet që IPK kishte pranuar se zyrtarët policorë për arsye të ndryshme nuk i gjobisin kundërvajtësit për shkeljet që i kanë kryer, transmeton Arbresh.info.
Inspektimi ad hoc ka ofruar mundësi për t’u njohur me përdorimin efektiv të këtyre pajisjeve dhe për të verifikuar nëse njësitë e trafikut i ekspozohen abuzimeve të mundshme.
“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: identifikimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në rrugë, vlerësimi i përdorimit racional dhe efektiv të pajisjeve në rastet e rrezikimit të trafikut nga ngasësit që nuk respektojnë kufizimet për shpejtësinë e lejuar, si dhe vlerësimi i përputhjes së numrit të matjeve në raport me numrin e kundërvajtjeve dhe gjobave të shqiptuara. Inspektimi ka vënë në pah se ka dobësi/të meta në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet n ë njoftim.
Gjatë krahasimit të të dhënave në gjoba dhe atyre të regjistruara në radar gjatë inspektimit janë hasur katër natyra të mospërputhjeve:
– Shpejtësia e lëvizjes së mjetit e përshkruar në gjobë është më e ulët se ajo e regjistruar në radar (në 55 nga 84 mostra/gjoba);
– Shpejtësia e kufizuar në radar ndryshon nga ajo e regjistruar në gjobë (në 23 nga 84 mostra);
– Lloji i shkeljes në gjobë ndryshon nga ajo e matur me radar (në 3 nga 84 mostra)
– Shqiptohet gjobë për tejkalim të shpejtësisë në bazë të një neni (paragrafi) jo adekuat të ligjit (në 3 nga 84 mostra).
“Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për nivelet drejtuese dhe operative të strukturave policore të Divizionit të Trafikut Rrugor, përfshirë Njësitë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësinë për Kontrollin e Autostradave”, njofton IPK.
IPK në kuadër të raportit ka dhënë shtatë rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e nxjerrjes së një udhëzuesi lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë së lëvizjes, mbajtjen e një trajnimi shtesë për të pajisur personelin me njohuri të mjaftueshme, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të dobësive sa i përket vendosjes së të dhënave në pajisjet e matjes, ushtrimit të kontrolleve në drejtim të eliminimit të praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje, përdorimit efektiv të automjeteve me pajisje inteligjente, monitorimit të procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara nga pajisjet, aplikimit të praktikës së printimit të kundërvajtjeve, etj./Arbresh.info
Për të parë raportin e plotë, kliko KËTU
Arrestohet një person për disa raste të vjedhjes në Ferizaj
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për t...
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut