Instituti pa licencë, licencon klinikat private

08:14 | 18 Janar 2017
M. A.

Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore nuk ka arritur ta licencojë Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq edhe pse, duke u bazuar në raportet e këtij të fundit, Ministria e Shëndetësisë licencon institucionet private shëndetësore. Po ashtu ky Institut bën matjen e shkallës së rrezatimit për punonjësit e SHSKUK-së

Ndonëse Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi apo ndonjë institucion tjetër qeveritar nuk ka arritur të bëjë akreditimin apo ta licencojë Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, mbi raportet që lëshohen nga ky Institut jepen licencat për të gjitha institucionet private shëndetësore që punojnë me rrezatim, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ky Institut tash e disa vite funksionon si shoqëri aksionare, gjithashtu bën mbikëqyrjen e dozimetrave përmes të cilëve nxjerr raporte për shkallën e rrezatimit që i nënshtrohen punëtorët shëndetësorë të SHSKUK-së të cilët punojnë në vende me rrezikshmëri.

Në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Curr Gjocaj, konfirmojnë se dozimetrat për punëtorët që punojnë në vendet me rrezikshmëri në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbikëqyren nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq.

“Ky Institut këta dozimetra i përcjell dhe i mbikëqyr nga pas lufta e tutje”, thuhet në një përgjigje me shkrim të bërë nga Zyra e drejtorit Gjocaj, përmes Zyrës së Informimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme