Institucionet e Kosovës alarmohen, duhet të merren masa për vajin e palmës

23:41 | 28 Janar 2017
Arbresh.info

Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore ( EFSA), ka publikuar studimin për Vajin e palmës, që nga rezultatet e këtij studimi ka dal se ky lloj produkti është me elemente kancerogjen dhe gjenotoksik.

Edhe pse ky studim ende nuk ka arritur zyrtarisht në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), tashmë është e sensibilizuar.

“AUV do t’i merr veprimet e duhura pas rekomandimeve finale të EFSA-s dhe institucioneve tjera të vlerësimit të rrezikut të BE-së krahasimisht edhe me institucionet ekzekutive të shteteve anëtare”, thuhet në përgjigjet për RTKlive, nga  Zyra për Informim, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas AUV EFSA (Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore) me panelet e saja shkencore ka trajtuar kontaminantët në produktet e proceduara të cilat përmbajnë acide yndyrore estarike të glycidilit në yndyrërat e palmës të cilat procedohen mbi temperaturat prej 200 gradë Celsius.

“Paneli shkencorë ka ardhur në përfundim se këto acide yndyrore kanë veti genotoksike dhe kancerogjene dhe deklarojnë se do të vazhdojnë tutje me vlerësimet e ekspozimit dhe me rekomandimet institucioneve për masat të cilat duhet t’i marrin në të ardhmen”, vlerëson në AUV.

Kurse kryetari i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, Ramadan Memaj, ka thënë se AUV do të duhej të ndalojë tregtimin e produkteve mashtruese dhe të ndërmarrë masa ndaj falsifikuesve dhe rrezikueseve të shëndetit të qytetarëve të Kosovës, sepse është një prej organeve kryesore përgjegjëse për sigurinë ushqimore.

“Me kërkesën e Komisionit Europian  më 3 mars 2016, Autoriteti Europian për Sigurinë Ushqimore ( EFSA ) ka dorëzuar një raport të titulluar “Rreziqet nga esteret e acideve  yndyrore per shëndetin e njeriut në lidhje me praninë  e 3 dhe  2 monochloropropanediol ( MCPD)  , dhe estereve  glycidile  (GE) në ushqim ;, ka thënë ai. Sipas tij nga rezultatet e studimit të publikuara në muajin maj 2016  rezulton se  vaji i  palmës është kancerogjen dhe gjenotoksik .

‘Sipas EFSA- s , Autoritetit Europian të Sigurisë Ushqimore, tri lloje të ndotësve të këtij vaji tropikale janë shumë të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, në mënyrë të veçantë për fëmijët dhe adoleshentët, por sidomos edhe për foshnjat të cilat janë të ekspozuara  në konsumimin e  Vajit të palmës.

Potenciali kancerogjen, siç shpjegon EFSA, varet nga një papastërti (GE, esteret glycyl të acideve yndyrore) të krijuara nga procesi i rafinimit në temperaturë të lartë në të cilën kjo yndyrë iu  është  nënshtruar”, ka thënë Memaj.

Sipas tij rreziku është rritja e tumoreve dëmtimi i veshkave dhe dëmtime gjenetike të cilat  transmetohen  ne pasardhës nëpërmjet lindjes. “Ekspertët tregojnë praninë e dy komponimeve shumë toksike në vaj palme të  tilla si mbetje  teknologjike.

Njëra është e njohur si  3-MCPD dhe tjetra si 2 – MCPD. Për llojin 3 – MCPD  është vendosur pragu i tolerancës prej 0.8 mikrogramë për kilogram të peshës trupore. Për komponimin tjetër (2-MCPD) nuk është krijuar pragu i konsumit, për shkak të mungesës së të dhënave komplete shkencore mbi toksicitetin dhe për këtë arsye do të bëhen hulumtime shtesë në mënyrë që Komisioni Europian të dalë me një qëndrim përfundimtar lidhur me përdorimin e Vajit të Palmës’, ka thënë Memaj.

Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një prag tejet të ulet të konsumimit të vendosur nga ana e Autoritetit Evropian për siguri ushqimore sa i përket substancave toksike të cilat janë të pranishme në vajin e Palmës, sipas Memajt AUV dhe Ministria e Shëndetësisë  do të duhej të veprojnë me urgjencë në disa drejtime.

“Institucionet e vendit duhet të dalin me një raport se sa është duke u tejkaluar dhe se sa janë të rrezikuar konsumatorët e Kosovës nga konsumimi enorm i vajit dhe yndyrës së Palmës sepse vetëm në tre vitet e fundit zyrtarisht kemi një import prej 5 milionë kg vaj dhe yndyrë palme si dhe mbi 12 Milionë kg produkte nga importi të cilat shiten si “djathë ‘’në Kosovë pa i llogaritur edhe prodhimet tjera”, ka thënë ai.

Meja ka rekomanduar se duhet të bëhet një analizë e detajuar lidhur me kualitetin e vajit dhe yndyrës së Palmës në produktet e importuara dhe vendore e të cilat përmbajnë Yndyrë Palme pasi që dihet se shkalla e rrezikimit të shëndetit është shumë më e madhe nëse është duke u  përdorur  vaji ose yndyra e Palmës e cila përdoret në industrinë kozmetike.

“Ky lloj vaji ose yndyre nuk ka qenë fare objekt studimi në raportin e EFSA-s. sepse në vendet e Bashkimit Evropian çështja e llojit të yndyrës e cila guxon të përdoret për ushqim është e rregulluar me ligj për dallim nga vendi ynë Republika e Kosovës e cila nuk ka rregullore dhe as Ligj i cili i përcakton kushtet dhe kriteret e tilla sa i përket kualitetit dhe higjienës dhe për këtë arsye shoqatat e qumështit këto produkte i kanë quajtur të jashtëligjshme’, ka thënë ai.

AUV sipas Memaj do të duhej që në një afat sa më të shkurtër të mundshme të kontrollojë mënyrën e deklarimit të produkteve nga importi dhe vendore të cilat përmbajnë vaj ose yndyrë Palme sepse deklarimet janë mashtruese dhe janë duke i vënë në lajthitje konsumatorët e Kosovës shoqatat e qumështit kanë evidentuar deri me tani rreth 50 produkte të tilla të cilat për nga shkalla e shtrirjes dhe konsumit e përbëjnë pjesën substanciale të tregut me produkte që shiten si “Produkte Qumështi.  ‘Deri më tani janë mbi 700 produkte të cilat në vendet e BE –s janë tërhequr nga raftet e marketeve dhe nga prodhimi, prandaj kjo çështje do të duhej të merret me seriozitet shumë të madh sepse këto produkte mund të jenë me pasoja  fatale për konsumatorët tanë’, ka thënë Memaj.

Ndërkaq, kryetari i Organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, ka vlerësuar se udhëzimi i fundit i institucioneve të Bashkimit Evropian rreth vajit të palmës e që mban elemente kancerogjene duhet që të respektohet edhe në Kosovë. “Edhe pse besoj se ende ai udhëzim nuk ka arritur ende në Kosovë, duhet që të shijohet mundësia që konsumatorët të mos dëmtohet.

Unë vlerësoj se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës(AUV), ka bërë punë të mirë, megjithëse ajo nuk ka shumë buxhet i cili do të bëj që ky institucion të jetë më i suksesshëm’., ka thënë ai. Sipas tij me gjithë legjislacionin e Kosovës, që e mbron konsumatorin, zbatimi i tyre në praktikë nuk është në nivel në kënaqshëm. “Po Kosova importon shumë produkte të ndryshme.

Edhe ato ushqimore importohen nga vendet e ndryshme. Duhet që institucionet e vendit të kenë më shumë kontroll, të kompanive. Efekti i tyre do të mund që të shihet”, ka thënë ai. Sipas tij Organizata “Konsumatori”, mundohet që të jetë në shërbim të konsumatorit duke kontribuar në mënyra të ndryshme./ RTKLive/

Shpërndaje në rrjete sociale