Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, duke njohur rëndësinë që ka furnizimi me para të gatshme për ekonominë e vendit, sigurinë dhe besueshmërinë e parave dhe sistemit të pagesave, u zotuan të intensifikojnë veprimet përkatëse institucionale në luftimin e falsifikimit të parasë.
Në takim palët diskutuan për situatën aktuale që lidhet me fenomenin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë në Republikën e Kosovës, si dhe shkëmbyen informacione mbi burimet dhe origjinën e monedhave të falsifikuara dhe valutave të hasura në treg.
Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët u dakorduan për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare.
Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar.
Rekomandohet që bizneset të furnizohen vetëm nga bankat me para të gatshme të cilat furnizohen nga ana e BQK-së, kurse mjetet e pranuara t`i nënshtrohen verifikimit para se të njëjtat të rivihen në qarkullim.
Po ashtu, me theks të veçantë udhëzohen qytetarët të shmangin përdorimin e parave të gatshme (veçanërisht monedhën 2 euro) dhe të shfrytëzojnë sa më shumë kartelat bankare gjatë pagesave.
Veprime konkrete kërkohen edhe nga bankat dhe institucionet tjera financiare, që të ngritin kapacitetet e brendshme të adresimit të kësaj dukurie dhe komunikimit sa më efikas me autoritetet përkatëse.
Palët u pajtuan të intensifikojnë aktivitetet në zbatim të ligjit, të shtohen kontrollet dhe aktivitetet inspektuese brenda dhe në kufi, si dhe të ndiqen ligjërisht dhe me efikasitet aktivitetet e tilla joligjore, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.
Në fund të takimit, palët u dakorduan që përmes grupit punues ndërinstitucional, të koordinohen aktivitetet sipas fushëveprimit përkatës të institucioneve, të rekomandojnë ndryshimet legjislative dhe monitorojnë në vazhdimësi zbatimin e këtij plani. /Arbresh.info
Ikonat e futbollit në një vend, Ronaldinho, Kaka dhe Adriano...
IQMT rrit kontrollet dhe konfiskon produkte jashtë standarde...
Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë
Plani operativ “Stop Drogave” në Prishtinë/ Arrestohen 8 per...
Nafta në Kosovë me çmim të njëjtë si dje
Mbi 1,700 gjoba në një javë në rajonin e Ferizajt, policia k...