Hoxhaj i quan AAK-në dhe VV-në “Koalicioni i molotovit”

22:40 | 9 Dhjetor 2020

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe se janë të gatshëm të ulen për të biseduar nëse veç partia e Kurtit është e interesuar për bashkëpunim – jo vetëm për rrëzim të Qeverisë Kurti.

Për mocionin e nisur nga Vetëvendosje Hoxhaj përsëriti se nuk është serioz dhe se këtë po e bën për shkak se “ka frikë nga pushteti”.

“Arsyeja pse vendi nuk po shkon në zgjedhje s’ka të bëjë shumë me PDK-në, sepse s’po e mbajmë peng Kosovën, por kjo ka të bëjë me faktin që Vetëvendosje sikurse e kemi parë nuk dëshiron që ta ushtron këtë mocion. Ky mocion është më shumë bllof. VV ka frikë prej qeverisjes dhe s’di të qeverisë, prandaj edhe flasin për mocion dhe ndërmarrin asnjë. Edhe LDK po ashtu ka frikë nga rënia që po e përjetojnë nga mbështetja qytetare dhe të dyja këto parti e kanë shndërruar vendin në këtë situatë””, tha Hoxhaj në Rubikon.

“Nëse kërkojnë bashkëpunim me PDK duhet të ulemi dhe të bisedojmë dhe për atë se ku mund të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen. Duhet t’i pyesim se a kanë kërkesa të tjera për PDK-në apo dëshirojnë edhe më tutje ta satanizojnë, apo kemi mundësi të bashkëpunimit. Unë jam për bashkëpunim me Vetëvendosje”.

Hoxhaj e quajti të natyrshëm një koalicionin të mundshëm mes Vetëvendosjes dhe AAK-së, pas gatishmërisë së shprehur nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, mbrëmë në Rubikon.

“VV dhe AAK kanë pasë një koalicion të koktejeve të molotovit dhe këtë e kemi parë në Kuvend. Edhe sot e kësaj dite na kanë lënë pa viza dhuna në Kuvend, rrugë dhe sheshe të Prishtinës.

Politikat e jashtme përdoreshin për politika të brendshme. Një koalicion i tillë i ardhshëm do të ishte një koalicion i koktejeve të molotovit. Kjo më shumë flet për mendësinë e këtyre dy partive.

Metodat janë reflektim i mendësisë dhe i asaj se si e shohim vetën dhe raportin tonë me realitetin politik që na rrethon.

Sa i përket përfshirjes në koalicionin qeverisës, Hoxhaj në Rubikon u zotua se mbesin pas qëndrimit që kanë marrë më 6 tetor të 2019-ës se janë parti opozitare.

“Qasja jonë është e prerë të mbesim në opozitë. S’kemi as vullnet, as interes, as pritje që të jemi pjesë e kësaj Qeverie dhe zgjedhjen e presidentit e ndajmë qartë dhe mirëfilltë prej raportit tonë me Qeverinë, e cila në pikëpamjen tonë ka qenë e dobët. Ky është qëndrimi që e kemi dhe do të jemi prapa edhe në të ardhmen”./Express/

Lajmet më të lexuara