Hoxha: Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës kontribuon në rindërtimin e besimit

11:02 | 18 Mars 2026
E.G

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha mirëpriti sot vendimin për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Në një postim në rrjetin X, Hoxha e cilësoi heqjen e masave si të vonuar.

“Ky hap, edhe pse i vonuar, rikonfirmon qartë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal”, thuhet në postimin e krydiplomatit shqiptar.

“Vendimi i sotëm hap një kapitull të ri—duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm. Ai kontribuon në rindërtimin e besimit dhe forcon më tej besueshmërinë e procesit të integrimit evropian”, shtoi Hoxha.

Ministri vuri në dukje se avancimi drejt rrugës evropiane të Kosovës—përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit për statusin e vendit kandidat—do të kontribuojë drejtpërdrejt për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, duke rikonfirmuar njëkohësisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian hoqi dje të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.

Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.