Haxhiu raportoi para Komisionit për Integrime Evropiane

18:21 | 16 Qershor 2021

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot raportoi lidhur zhvillimet e fundit në vend në fushën e drejtësisë dhe përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Agjenda Evropiane për Ministrinë e Drejtësisë, respektivisht masat legjislative dhe institucionale në kuadër të Programit për Zbatimin e MSA si dhe prioriteteve që janë në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).

Ministrja e Drejtësisë në fjalën e saj hyrëse adresoi prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, ku në detaje i njoftoi anëtarët e Komisionit lidhur me përkushtimin e

Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtetin e së drejtës dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ministrja fjalën e saj e nisi me procesin e rishikimit funksional, rekomandimet që janë adresuar dhe hartimin e strategjisë për sundimin e ligjit e cila shumë shpejt pritet të votohet në mbledhjen e Qeverisë.

Po ashtu, ministrja përmendi një nga prioritetet kryesore e reformuese në sistemin e drejtësisë, e që është vettingu, duke i njoftuar anëtarët e Komisionit lidhur me përfundimin e draftit të parë për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe i cili është shpërndarë te grupi i gjerë për të dhënë komentet e tyre deri më 30 qershor dhe se sipas planifikimeve pritet që ky koncept dokument të miratohet në Qeveri në fund të muajit gusht për t’i hapur rrugën nismës legjislative për vettingun në sistemin e drejtësisë.

Në këtë raportim, Ministrja përmendi edhe veprimet që janë duke u ndërmarrë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit gjegjësisht hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si dhe fuqizimin e mekanizmave aktual në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit sidomos tek niveli i lartë. Në këtë raportim, Ministrja po ashtu i njoftoi anëtarët e Komisionit lidhur me veprimet në adresimin e krimeve të luftës dhe po ashtu dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore.

Ministrja njoftoi anëtarët e Komisionit lidhur me projektligjet që janë proceduar në Ministrinë e Financave dhe që sapo të kemi deklaratat financiare për të njëjtat, do të procedohen në Qeveri.

Në këtë pako të ligjeve hyjnë projektligji për Gjykatën Komerciale, projektligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe civile, projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsion.

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, pas fjalës së Ministres adresuan shumë pyetje e të cilat morën përgjigje nga Ministrja Haxhiu./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara