Haxhiu në konferencën, “Future Makers: Girls in ICT”: Çdo vajzë që ecën përpara, e çon edhe Kosovën përpara

13:03 | 22 Prill 2026
E.K

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në konferencën, “Future Makers: Girls in ICT”.

U.D. Presidentja Haxhiu, me këtë rast ka thënë se kur bëhen bashkë industria, akademia, institucionet dhe shoqëria civile, e kuptojmë se sfidat e mëdha nuk përballohen ndaras, por vetëm kur jemi bashkë.

Ajo tutje ka shtuar se me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ky ndryshim po merr ritëm edhe më të madh.

“Tregu i punës po ndryshon. Profesione të shumta po përshtaten, disa po shuhen, të tjera po lindin. Në kohë të tilla, përparojnë vendet që arsimin, dijen dhe teknologjinë i kthejnë në përparësi kombëtare”, ka theksuar ajo.

U.D. Presidentja ka thënë se ne jemi vend i ri, me shumë të rinj e të reja që duan të ecin përpara.

“Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë. Shumë gjëra i kemi ndërtuar vetë, me mundin tonë, por prej kësaj kemi nxjerrë forcë, kemi nxjerrë dije, por po ashtu edhe besim se mund të ngrihemi sa herë që përballemi me sfida”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se dikur pasuria e kombeve matej me tokë, me miniera, me fabrika, natyrisht që edhe këto janë shumë të rëndësishme, por sot ajo po matet gjithnjë e më shumë me dije, me inovacion dhe me aftësinë për të krijuar.

“Kjo është mundësia jonë, por asnjë vend nuk ecën përpara duke lënë pas gjysmën e vetes. Prandaj, përfshirja e vajzave dhe grave në teknologji nuk lidhet vetëm me barazinë, gjithsesi me barazinë por jo vetëm me barazinë, lidhet edhe me zhvillimin e ekonomisë, me ecjen përpara të shoqërisë dhe me të ardhmen e vendit tonë”, ka pohuar U.D. Presidentja.

Sipas saj, gratë dhe vajzat shqiptare, në çdo kohë kanë ditur ta gjejnë rrugën e tyre.

“Me punë, me dije e me qëndresë, kanë mbajtur familje, kanë ndërtuar shoqëri dhe kanë hapur shtigje të reja edhe kur ka qenë pothuajse e pamundur. Edhe sot, kjo frymë i karakterizon. Kemi plot shembuj që dëshmojnë këtë të vërtetë. Drena Kusari nga Gjakova, e emëruar para pak javësh në një nga pozitat më të larta drejtuese në Microsoft, na tregon se prej Kosovës mund të arrihet deri në majat e botës së teknologjisë. Çamërie Mazreku nga Malisheva, e angazhuar si inxhiniere softuerike në Netflix, dëshmon se talenti ynë mund të gjejë vend në kompanitë më të mëdha në botë. Mira Murati, ndër emrat më të njohur të inteligjencës artificiale sot, është tjetër dëshmi se dija dhe përkushtimi nuk njohin kufij”, ka theksuar U.D. Presidentja.

Përveç këtyre emrave, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ka shumë gra e vajza të tjera që ndoshta ne edhe mund të mos i shohim, por që me punën e tyre po lënë gjurmë në universitete, në kompani, në startup-e, në laboratorë dhe në institucione.

Ajo më tej ka thënë se çdo arritje e tyre është një derë e hapur për vajzat që vijnë pas tyre.

Sipas U.D. Presidentes, këto histori na tregojnë se talenti ynë mund të arrijë larg kur gjen mbështetje dhe kur gjen mundësi.

“Tani dua t’u drejtohem veçanërisht vajzave, që janë sot këtu në këtë konferencë. Rruga para jush nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Do të hasni në njerëz që do të dyshojnë në ju, që do t’ju paragjykojnë, madje edhe të tillë që ju thonë që kjo fushë nuk është për juve. Do të ketë lodhje, pasiguri do të ketë edhe sprova, por këto janë vështirësi të përkohshme, dhe nuk e përcaktojnë assesi aftësinë tuaj. Mos prisni që gjithçka të rregullohet për ta hedhur hapin e parë, sepse rruga shpesh qartësohet vetëm kur ecim. Mos mendoni se teknologjia i takon dikujt tjetër. Ajo ka nevojë për dijen tuaj, për idetë tuaja por edhe për guximin tuaj.Nëse dikush ju nënvlerëson, përgjigjjuni me punë. Nëse rruga ju duket e gjatë, ecni hap pas hapi. Nëse hasni vështirësi, mos u dorëzoni ngase aty fillon forca juaj”, ka theksuar U.D. Presidentja.

Ajo më tej ka thënë se Kosova ka nevojë për vajza programere, për inxhiniere, për hulumtuese të inteligjencës artificiale, për ekspertë të sigurisë kibernetike, e këtu U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar znj. Sahatqija, për punën, që po bën në këtë drejtim!

“E ardhmja digjitale nuk e pret askënd. Çdo vajzë që ecën përpara, e çon edhe Kosovën përpara. Unë besoj fort se shumë prej atyre që do ta udhëheqin të ardhmen digjitale të Kosovës ndodhen sot në këtë sallë”, ka thënë U.D. Presidentja.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ne e kemi tashmë edhe një ministër, që po merret me këtë çështje përditë.

“Prandaj, e falënderoj edhe atë për angazhimin e madh që po bën në këtë drejtim dhe jam shumë e bindur duke e njohur Lulëzonin, që gjithnjë do t’ju qëndrojë pranë në raport me kërkesat që ju i keni”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Shpërndaje në rrjete sociale