Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nevojiten diskutime serioze me partitë politike për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Haxhiu tha se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real, e jo, sipas saj, vetëm diskutim sa për sy e faqe.
Kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar se takimet për këtë çështje do të vazhdojnë, derisa thotë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Kryetari i LVV-së, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër . Grupi Parlamentar i LVV-së më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit, sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raunde. Në këtë pikë, mendoj që është i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz, sepse pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.
Kryeparlamentarja, në një deklarim para gazetarëve tha se më 5 mars seanca nuk është mbyllur dhe se ajo do të vazhdojë.
“Nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra, unë nuk e kam mbyllur seancën, e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet, deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam të zgjedhim presidentin”, tha Haxhiu.
Shefja e legjislativit ka folur edhe për mbledhjen e Kryesisë që e ka thirrur për të hënën që vjen.
“Kam thirrur një mbledhje të Kryesisë për të trajtuar shumë projektligje që ndërlidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo vetëm. Do të kemi shumë tema të rëndësishme që ndërlidhen me interesat e qytetarëve dhe vetë Republikën. Orientimi ynë duhet të jetë në dy drejtime, së pari që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në raport me agjendën legjislative dhe çështje të tjera, dhe e dyta në drejtim të përpjekjes për arritje të konsensusit për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Në të dyja drejtimet natyrisht që roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm dhe si kryetare e Kuvendit po përpiqem maksimalisht të adresojë përgjegjësitë që ne i kemi”, tha Haxhiu./rtk
Oda Amerikane-Qeverisë: Përmirësimi i klimës për bizneset kë...
DASH publikon listën me vendet më të rrezikshme, sa të sigur...
KEDS paralajmëron konferencë më 1 prill për njehsorët elektr...
Osmani: Historia e Nënës Ferdonije simbol i dhimbjes dhe qën...
Sot, dita e fundit e konkursit për rekrutimin e ushtarëve të...
Izraeli nis valë të re sulmesh në Iran