Haxhiu i ligjëron opozitës: Bojkoti është i lejueshëm vetëm në rrethana të rralla e ekstreme

11:30 | 28 Prill 2026
R J

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, në vazhdimin e sotëm të seancës së jashtëzakonshme për Presidentin, iu drejtua deputetëve të opozitës me kërkesën për të marrë pjesë në këto punime, duke lexuar pjesë të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, rregullores së Kuvendit, raporte te Komisionit të Venecias e deri te një rezolutë për Armeninë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Po ashtu, bazuar në rezolutën për Armeninë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës 2560, të vitit 2024, thuhet: Një bojkot i organizuar i punës së Parlamentit nga opozita është i lejueshëm vetëm në rrethana të rralla dhe ekstreme kur vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Parlamentit”.

Por, Haxhiu tha se ky s’është rasti në Kuvendin e Kosovës derisa i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të shkojnë në seancë.

“Ne nuk e kemi një rrethanë ku vihet në pikëpyetje legjitimiteti i Parlamentit. Prandaj, e ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e Presidentit, pra të vijë në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje”.

“Në këto rrethana të gjithë 120 e deputetët e Kuvendit duhet të ndihen të obliguar sipas Kushtetutës, ligjit për deputetë, rregullores dhe kodit të sjelljes, të marrin pjesë në seancat e Kuvendit, të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën”, vazhdoi Haxhiu.

Haxhiu po ashtu përmendi disa aktgjykime, të cilët, sipas saj, “e bëjnë të detyrueshme pjesëmarrjen në seanca dhe votimin pro, kundër ose abstenim”.

Për të mundësuar pjesëmarrjen e opozitës në seancë, Haxhiu tha se po e shtyn atë për në orën 14:00.

Nisja e seancës për zgjedhjen e Presidentit pa kuorumin e nevojshëm u konsiderua shkelje e Kushtetutës.

Shpërndaje në rrjete sociale