Haxhiu dënon gjuhën përçarëse dhe seksiste të deputetit Fatos Geci

09:54 | 23 Prill 2026
E.H

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka dënuar gjuhën përçarëse dhe seksiste të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, gjatë seancës parlamentare të martën.

Haxhiu fillimisht foli për deklaratën e Gecit ku i uroi ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë fat të njëjtë sikurse Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes.

“Keni qenë dëshmitarë të seancës që përveç i kam tërhequr vërejtjen deputetit Geci, në kërkesën për replikim ndaj përfaqësuesit të PDK-së, nuk e kam lejuar, e kam dënuar atë gjuhë. Është e papranueshme, përçarëse dhe goditje ndaj veprës madhështore të UÇK-së”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu paralajmëroi se në seancën e sotme do ta dënojë edhe gjuhën seksiste të Gecit ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, të cilës i tha “gru e keqe, i ke bo 100 hala s’je martu”.

“Edhe sot në seancë do të mbaj qëndrim për këtë çështje dhe e dënoj gjuhën seksiste kundrejt Çitakut”, ka thënë ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale