Haxhiu: Bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës

09:33 | 24 Mars 2026
E.K

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1999, duke e cilësuar si një moment vendimtar që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.

Ajo theksoi se bombardimet e NATO mbi objektivat serbe erdhën si përgjigje ndaj dhunës sistematike dhe politikave të regjimit të Slobodan Milošević ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Postimi i plotë:

Sot kujtojmë 24 marsin 1999, kur bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.

Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë.

Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.

Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.

Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira./Arbresh.info