Haradinaj uron 7 Marsin: Mësuesit janë shtylla e edukimit dhe frymëzimit kombëtar

15:14 | 7 Mars 2026
E.K

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar mësimdhënësit me rastin e Ditës së Mësuesit, duke vlerësuar rolin e tyre historik në edukimin e brezave dhe në ruajtjen e frymës kombëtare.

Në urimin e tij, Haradinaj ka theksuar se gjatë gjithë historisë së shqiptarëve, mësuesit kanë qenë shtylla kryesore e formimit të brezave, duke mbjellë dijen dhe duke frymëzuar rezistencën kombëtare.

“Breza të tërë u formësuan në bankat e shkollës shqipe me idealin për liri. Mësonjëtorja e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, nuk ishte thjesht një shkollë, ishte betejë dhe një fitore për të ardhmen”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka shtuar se mësuesit mbeten të shenjtë në shoqëri edhe sot, prandaj, sipas tij, shteti dhe shoqëria duhet t’i trajtojnë ata me respekt dhe dinjitet jo vetëm në një ditë simbolike, por në çdo ditë të punës dhe jetës së tyre.

Në fund të urimit, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit për punën dhe përkushtimin e tyre, duke i uruar për festën e 7 Marsit.