Haradinaj: Qindra shqiptarë u ekzekutuan në Lybeniq dhe zonën përreth

13:19 | 1 Prill 2026
R J

Në 27 vjetorin e Masakrës se Lybeniqit u bënë homazhe dhe nderime për 80 të rënët e këtij fshati.

Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  ka deklaruar se Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999, sipas tij, ishte kobshme për këtë fshat dhe zonën përreth.

“Shteti serb ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi”, ka thënë Haradinaj.

Ai shtoi se sot është ndarë dhimbja me familjarët dhe është zbuluar pllakë përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinajt. “Në vitet 90-ta kulla e tij ka qenë një prej bazave më të sigurta dhe më të rëndësishme të UÇK-së”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj përmendi edhe viktimat në Gjakovë, duke thënë se “me përulje kujtojmë edhe martirizimin e dhjetëra vëllezërve e motrave tona në Gjakovë”.

Ai shtoi se “asnjëherë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre u bënë mburojë e kësaj toke”, duke përfunduar se “përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri”.