Google ADS

Haradinaj nderon heronjtë Arben dhe Luan Qerimaj: Ishte lufta e UÇK-së që krijoi aleancën me NATO-n dhe Amerikën

12:56 | 26 Maj 2025
E.G

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, mori pjesë sot në Gllogjan në ceremoninë përkujtimore në nderim të Heronjve të Kosovës, Arben dhe Luan Qerimaj, në përvjetorin e rënies së tyre.

Me këtë rast, Haradinaj kujtoi me nderimet më të larta edhe bashkëluftëtarët që ranë po në këtë ditë: Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi.

“Të gjithë këta trima që i kujtuam sot ishin të veçantë, secili në mënyrën e vet. Në përvjetorin e rënies së tyre, ne nderojmë shpirtin e tyre luftarak, besnikërinë ndaj shokëve dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar kurrë përballë armikut,” theksoi Haradinaj në fjalën e tij.

Ai rikujtoi se rruga deri te liria ishte e gjatë dhe e vështirë, e mundur vetëm falë luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ishte kjo luftë që solli lirinë, që hapi rrugën për ndërtimin e shtetit tonë dhe që krijoi aleancën tonë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një aleancë që duhet ta ruajmë e ta forcojmë me krenari,” u shpreh Haradinaj.

Në përfundim të shkrimit të tij, ai ritheksoi angazhimin për një Kosovë të sigurt dhe të integruar në strukturat euroatlantike. “Misionin tonë për sigurimin e lirisë sonë nuk duhet ta ndalim derisa të bëhemi ofrues të sigurisë, si pjesë e NATO-s, të rreshtuar pranë botës demokratike, udhëhequr nga Amerika,” tha ai.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Luan e Arben Qerimaj, Rexhep Tafaj, Ekrem Berisha, Fetah Selca, Beslim Alijaj dhe Haki Krasniqi. Lavdi e përjetshme!”, përfundoi Haradinaj./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm