Google ADS

Haradinaj duhet të tërhiqet nga ambicia për kryeministër

08:39 | 26 Gusht 2017
Arbresh.info

Për herë të gjashtë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovë, seanca e thirrur për 24 gusht nuk ishte përfundimtarja për formimin e Qeverisë së Kosovës pasi që koalicioni PAN nuk i kishte numrat, shkruan arbresh.info.

Pas përfundimit të seancës së 24 gushtit partitë politike u shprehen të gatshme të ulen të bisedojnë për ta gjetur një zgjedhje që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

I pyetur se a është i gatshëm të largohet nga posti i kryeministri për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe të mos vazhdoj edhe më tutje bllokimi i institucioneve, Ramush Haradinaj tha se kryeministrin e zgjedhë populli.

Lidhur me këtë analistët kanë thënë se  për të mirën e Kosovës, Haradinaj do të duhej të jap dorëheqje nga ky post dhe vendi mos të bllokohet.

Analisti politik Haki Abazi në një prononcim për arbresh.info tha se ka ardhur koha që zoti Haradinaj të jap dorëheqje nga posti i kryeministrit ose të shkohet në zgjedhje të reja

“Unë jam i bindur që zoti Haradinaj do të ulet të bisedon për një qeveri të Unitetit Nacional për të nxjerrë  një kompromis që lejon ndërtimin e institucioneve me fuqi vendimmarrëse. Besoj qe edhe ka ardhur koha që një gjë e tille të bëhet ose të shkohet në zgjedhje të reja,” tha Abazi.

Ai tregoi edhe si duhet të jetë një qeveri gjithëpërfshirëse me njerëz të pa korruptuar.

“Qeveria e Uniteti Nacional duhet te jete gjithëpërfshirëse me ekspert dhe njerëz të pa korruptuar dhe  ka në agjenda reformat të thella në të gjitha sferat qeverisëse por posaçërisht për të larguar mundësinë e sabotimit te Listës Srpska në shtetndërtimin  dhe avancim të integrimit Euroatlantik,” deklaron ai.

Ndërsa Analisti, Dardan Islami, është i mendimit se LDK ka gjasa t’i bashkohet PAN-it.

“Deri ne afatin e fundit ka gjasa që të bindet LDK, e nëse jo shkohet në zgjedhje, nga të cilat nuk pres shume po që se nuk kanë një  marrëveshje paraprake, ajo që ju mungon edhe ketë here! Unë besoj se Ramush Hardinaj nuk është problemi i kësaj nyeje, këtu është LDK ajo qe do ta ndihmoj apo do ta dëmtoj me te vërtet procesin! Na mbetet te shohim se çka do te vendos LDK,” tha Islami.

Edhe për analistin Mazllum Baraliu, heqja dorë e Haradinajt varet prej bindjeve të tij.

“Haradinaj po thotë që nuk heq dorë, pasi që sipas tij ata kanë marrë mandatarin nga zgjedhësit e tyre, edhe pse nuk është shumica e mjaftuar ai ka deklaruar se është pro një qeverisje gjithëpërfshirëse, por nëse heq dorë varet prej bindjeve tij,” tha analisti Baraliu.

Sipas tij, në situatën që është Kosova do të duhet të mbizotëronte arti i së mundshmes dhe për ta gjetur një zgjedhje eksponentët e partive politike duhet të ulën dhe të bisedojnë  se si mund të dalim nga kriza.

Baraliu tha se është i habitur se si politikanët më shumë i dedikohen pushtetit se sa shtetin dhe për këtë po kontribuojnë për thellimin e krizës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme