Google ADS

Hajdari: Metrologjia është një ndër shtyllat kryesore të sistemit të cilësisë

23:47 | 27 Maj 2024
E.G

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shënoi sot Ditën Botërore të Metrologjisë me moton “Ne masim sot, për një të nesërme të qëndrueshme”.

Me këtë rast Ministrja Rozeta Hajdari tha se Metrologjia ka një ndikim të gjerë dhe të thellë në jetën tonë të përditshme, duke shtuar se metrologjia siguron që matjet të jenë të sakta dhe të besueshme në fusha të ndryshme, si shkenca dhe teknologjia, tregtia ndërkombëtare, shëndetësia dhe mjedisi, përcjell Arbresh.info.

“Për vendin tonë, metrologjia është një ndër shtyllat kryesore të sistemit të cilësisë, së bashku me standardizimin dhe akreditimin, andaj me qëllim që Kosova të jetë një vend i suksesshëm në zhvillimin dhe përkrahjen e bizneseve të cilat do të mund të jenë konkurrente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, po punojmë që të krijojmë një sistem metrologjie efikas, në përputhje me legjislacionin e BE-së për sigurinë e produkteve dhe infrastrukturës së cilësisë, siç janë procedurat evropiane të standardizimit, metrologjisë, akreditimit dhe vlerësimit të konformitetit”, theksoi Ministrja Hajdari.

Ndërsa zv. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Avdullah Jasiqi, prezantoi të arriturat për vitin 2023 dhe planin e aktiviteteve të AMK-së.

Ndër aktivitetet e AMK-së të zhvilluara gjatë vitit 2023 janë:

Aktivizimi i plotë i laboratorit të gjatësisë dhe matjeve dimensionale me financim nga Qeveria.

793 kalibrime të instrumenteve matëse në laboratorët kalibrues te AMK gjatë vitit 2023.

6577 verifikime të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara nga laboratorët verifikues të AMK-së ( duke përfshirë verifikimet e pikave shitëse të karburanteve, peshoreve, gramarëve, kontrolli sasior i parapaketimeve dhe shisheve si enë matëse, njehsorëve elektrik, radarëve)

5884 tahograf të verifikuar, nga trupat e emëruara për ofrimin e shërbimeve metrologjike për verifikimin e saktësisë së Tahografëve.

“Në kuadër të konferencës u realizua edhe diskutim i frytshëm në panel, me përbërje nga Nënkolonel Jeton Rexhepi, Drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugorë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, Prof. Dr. Sefer Avdiaj, anëtar i Këshillit të Metrologjisë, Z. Blerim Halabaku, Menaxher i Cilësisë në AMK, Znj. Hajrije Morina nga Autoriteti Rregullativ për Shërbimet e Ujit, Z. Gent Lajqi nga RRONIFER GROUP sh.p.k dhe Znj. Agnesa Ramadani nga KIenzle – laborator i emëruar për verifikimin e saktësisë së Tahografëve.”, thuhet mes të tjerash në njoftim.

“Pajtueshmëri në diskutime të panelit ishte njohja e rëndësisë së lartë të metrologjisë dhe krijimi i bashkëpunimeve të reja në mes AMK dhe institucioneve publike dhe nga sektori privat.”, njofton ministria/Arbresh.info/