Gruaja e komandant “Sandokanit” reagon ndaj Donika Gërvallës: Turp përballë së vërtetës, qëndrime të papranueshme

09:28 | 26 Gusht 2025
E.K

Sanije Rexha, gruaja e komandantit të ndjerë të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani – ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të bëra mbrëmë në emisionin “Pressing” në Televizionin T7.

Në një postim publik, ajo e ka cilësuar paraqitjen e Gërvallës si “zhgënjyese për çdo qytetar që ka kujtesë të qartë për luftën çlirimtare”, duke e akuzuar se në vend të vërtetës historike, i ka dhënë përparësi figurës së Gani Gecit – të cilin e quan “monstrum”.

Postimi pa ndërhyrje:

Reagim ndaj deklaratës së znj. Donika Gërvalla në emisionin “Pressing” – T7

Dalja e znj. Donika Gërvalla në emisionin “Pressing” në T7 ishte zhgënjyese për çdo qytetar që ka kujtesë të qartë për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me një ton të pashpjegueshëm mbrojtës, znj. Gërvalla i kushtoi më shumë kujdes figurës monstrume të Gani Gecit, sesa të vërtetës historike dhe moralit të drejtë.

Është fakt i dokumentuar dhe i njohur publikisht se gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandanti Abedin Rexha – i njohur ndryshe si Sandokani – u vra në një pritë tinëzare nga Gani Geci, vëllai i tij Fadil Geci dhe pjesëtarë të tjerë të një grupi që me të drejtë është cilësuar si bandë kriminale. Abedin Rexha ishte komandant i Brigadës 112 të UÇK-së dhe një prej figurave më të shquara të qëndresës në Drenicë. Vrasja e tij nuk ishte pasojë e ndonjë përplasjeje mes dy palëve, por një atentat i paramenduar ndaj një luftëtari të lirisë – nga individë që asnjëherë nuk e kanë pranuar UÇK-në si përfaqësuese legjitime të rezistencës kombëtare.

Në vend që të shprehte të paktën keqardhje për këtë ngjarje tragjike, znj. Gërvalla zgjodhi të pozicionohet përkrah figurave tërësisht të diskredituara, si moralisht ashtu edhe politikisht. Kjo nuk është thjesht një lëshim politik – është një fyerje për historinë tonë dhe për gjakun e dëshmorëve.

Zonjë Gërvalla, ky qëndrim është i papranueshëm. Është një turp përballë së vërtetës dhe kujtesës kolektive të popullit tonë./Arbresh.info

Të ngjashme