Google ADS

Gripi sezonal, kryeshefi i QKMF-së: Uji i qepëve i jashtëzakonshëm

13:00 | 11 Janar 2025
K.B

Ethe, temperaturë, këlbaz, kollitje, dhimbje koke janë disa nga simptomat që e karakterizojnë gripin sezonal.

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, për Arbresh.info, thotë se nuk ka nevojë për shqetësime.

“Është një virus i zakonshëm që është virus i virozëve sezonale dhe nuk është diçka që duhet të shqetësohet popullata e as pacientët. Virozat apo gripet sezonale janë ato infeksione që shkaktohen nga viruset e tipeve A ose B , mirëpo në ndërkohë pësojnë mutacione gjenetike dhe mund të rrisin agresivitetin e simptomave. Simptomat më të shpeshta janë ethe temperaturë, kollitje, dhimbje muskulare, dhimbje koke, këlbazë, plogështi të përgjithshme. Terapia duhet të jetë simptomatike karshi prej asaj se nga çfarë shkaktohet”, thotë Hashani.

Ai, thekson se vitin e kaluar në periudhën e njëjtë kohore me vitin e kaluar, këtë vit vërehet një rritje e lehtë 10 për qind e rasteve të prekura me grip.

“Karshi vitit të kaluar vetëm këtë javë kemi një rritje të lehtë mund të themi 10 për qind mbi numrin e pacientëve të cilët i kemi pasur në vitin e kaluar. Në vitin 2024 kemi pasur 45 mijë e 600 raste të raportuara në IKSHPK, ndërsa në vitin 2023, 36 mijë raste, d.m.th. nëse bëjmë krahasimin e viteve kemi diku mbi 9 mijë raste të reja të gripit sezonal. Kemi një rritje të lehtë mirëpo nuk është asgjë shqetësuese”, pohon ai.

Kryeshefi i QKMF-së, thotë se grupet më të rrezikuara janë ata që kanë sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

“Moshat të cilat i atakon janë personat të cilët kanë probleme kronike, grat shtatzëna, fëmijët. Vaksinimi deri më sot ka shkuar shumë mirë, fillim i vaksinimit fillon nga 31 shtatori dhe zgjatë tërë vitin, mirëpo vaksinimet më të shpeshta i kemi në shtatorë dhe në tetor dhe gradualisht numri i tyre fillon për me ra dhe deri më sot i kemi mbi 10 mijë e 600 vaksina të aplikuara, po flas vetëm për territorin e Prishtinës në këto 17 njësi duke përfshirë QKMF-të dhe ambulantet. Ne kemi numër të mjaftueshëm të vaksinave”, shprehet ai.

Gjithashtu, Hashani shpjegon se si mund ta dallojmë gripin sezonal nga disa viruse të tjerë që janë përhapur në botë. Ndërkohë, ai rekomandon edhe metoda natyrale për trajtimin e virozave, siç është uji i qepëve.

Valdet Hashani

“Janë në grupin që kamë simptomatologji të njëjtë varësisht se ku atakojnë. Temperatura, kollitja, ethet e trupit dhembja muskulore janë simptomatologji të rëndomta për gjendjet virale. Uji i qepëve është ekspektorat i jashtëzakonshëm, shkakton nxjerrjen e gëlbazave dhe praktikohet jashtëzakonisht mirë. Barërat janë fabrikantë, por për këto raste të gjendjeve gripoze apo ftohjeve mjetet që i shkakton natyra janë më të mira”, tregon ai.

Hashani bëri thirrje për kujdes të shtuar gjatë stinës së gripit dhe për vaksinim të hershëm për ata që janë më të rrezikuar./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm