Gratë e dy këshilltarëve të ministrit gjejnë punë në Ministrinë e Punës

13:53 | 3 Prill 2017
Gita

Në listën e emrave të ekspertëve të angazhuar në projektin “Strategjia Sektoriale për Punësim dhe Mirëqenie Sociale”, veç të resë së kryeministrit figurojnë edhe gratë e dy këshilltarëve politikë të ministrit Arban Abrashi.

Gratë e dy këshilltarëve politikë të ministrit Arban Abrashi janë angazhuar si eksperte në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punë dhe Mirëqenies Sociale dhe BE-së.

Në listën e emrave të ekspertëve të angazhuar në projektin “Strategjia Sektoriale për Punësim dhe Mirëqenie Sociale”, veç të resë së kryeministrit figurojnë edhe Ardiana Gashi dhe Vlora Jashanica.

Ardiana Gashi është gruaja e Selatin Kllokoqit, ndërsa Vlora Jashanica është gruaja e Fatmir Haxhollit.

Kllokoqi e Haxholli janë këshilltarë politikë të ministrit të MPSM-së, Arban Abrashi.

I pyetur nga “Gazeta Jeta në Kosovë” nëse e konsideron konflikt interesi angazhimin e gruas në këtë projekt, këshilltari Kllokoqi thotë që ky nuk është as projekti i parë e as i dyti në të cilin gruaja e tij angazhohet.

“Gruaja jem është eksperte qe 10 vjet”, tha Kllokoqi.

Ai tha se gruaja është angazhuar direkt nga kompania që e udhëheq projektin e BE-së.

“Nuk ka të bëjë ajo me Ministrinë e Punës, e ka angazhu firma. Ekspertët e jashtëm nuk i ka angazhuar Ministria, por i ka angazhuar kompania”, tha ai.

Ndërsa i pyetur se për cilën kompani e ka fjalën, ai thotë “po kqyrne ju atje se tybe s’e di”.

Kjo është në kundërshtim me atë që e ka thënë sekretari kësaj Ministrie kur ka folur për punësimin e resë së kryeministrit.

“Janë të angazhuar përmes projektit dhe Ministrisë së bashku”, kishte thënë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyçi.

Gazeta ka kontaktuar edhe me këshilltarin tjetër të ministrit Arban Abrashi, Fatmir Haxhollin.

Ai fillimisht tha se nuk e di nëse gruaja e tij ka nënshkruar kontratë për të ndihmuar ministrin në bërjen e strategjisë. Por, më pas shpjegon që ajo është angazhuar në një komponentë në të cilën ka punuar edhe më parë, dialogun social.

“Janë edhe disa ekspertë tjerë, merri emrat, merri CV-të e tyre, interesohuni mirë qysh e kush i ka angazhu. Ky është projekt i BE-së, nuk mundet me marr debilla n’punë”, tha ai.

Me të njëjtin ton, Haxholli ka vazhduar të mbrojë angazhimin e gruas së tij.

“Këdo që e ka marr qaj projekt, nuk mundet me i marr njerëz që nuk kanë CV të mirë, sepse ekspertët duhet me u aprovu në BE, nuk aprovohen në Ministri”, tha Haxholli.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MPMS-së CV-të e ekspertëve të angazhuar në këtë projekt, por edhe pas tri ditësh nuk ka marrë përgjigje.

Ditë më parë, gazeta raportoi edhe për angazhimin e Edita Bajramit, e reja e kryeministrit Isa Mustafa në këtë projekt./Kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale