Gratë e burgosura prodhuan 1 mijë e 400 maska për mbrojtje nga Covid-19

09:14 | 26 Mars 2020

Në fillim të kësaj jave gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan (QKFL) kanë filluar me prodhimin e maskave kirurgjikale si masë mbrojtëse për të burgosurat dhe punonjëset e Shërbimit Korrektuese të Kosovës nga Pandemia “Covid-19”.

E, deri tani janë prodhuar rreth 1400 të tilla.

Kështu bëhet e ditur në një përgjigje për arbresh.info nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Deri më tani janë prodhuar 1400 copë maska”, thuhet në përgjigje.

Prodhimi është duke vazhduar ndërsa maskat e prodhuara u kanë shpërndarë shumicës së Institucioneve.

“Po është duke vazhduar prodhimi i tyre. Deri më tani u janë shpërnda shumicës së institucioneve, brenda javës do t`iu shpërndajmë edhe institucioneve tjera”, thuhet më tej në përgjigjen e SHKK-së.

Ndërsa të pyetur nëse planifikojnë do të prodhojnë edhe për jashtë Institucioneve, SHKK ka thënë se mund të realizohet nëse u kërkohet.

“Këto maska nuk do të shiten, aktualisht jemi duke u prodhuar për nevoja të Shërbimit Korrektues, e në rast nevoje, sipas mundësive që kemi edhe për shërbimet tjera institucionale”, ka thënë me tej SHKK në përgjigjen për arbresh.info.

Ndryshe kujtojmë që pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë çmimet e maskave mbrojtëse janë rritur dukshëm.

Veç tyre nga qytetarët ka pasur edhe ankesa se ka mungesa në tyre nëpër barnatore.

E pas raportimeve të tilla në kuadër të implementimit të Planit Operativ “Corona Virus” ,me qëllim të mbrojtjes së të burgosurve dhe punonjësve të

Shërbimit Korrektuese të Kosovës nga Pandemia “Covid-19”, të burgosurat në QKFL kishin filluar prodhimin e maskave kirurgjikale.

Në njoftim thuhej se maskat po ndërtohet me material në të cilin nuk depërtojnë mikroorganizmat .

“Për prodhimin e maskave kirurgjikale, me rekomandim të mjekëve profesional po përdoret material në të cilin nuk depërtojnë mikroorganizmat, pas kalkulimit të kostostos së prodhuar, këto maska kushtojnë vetëm 0.10 cent për copë. Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes këtij prodhimi, synon në uljen e shpenzimeve ekonomike në maska kirurgjikale dhe në rritjen e nivelit të parandalimit nga Pandemia “Covid -19” nëpër të gjitha institucionet
korrektuese”, thuhej në njoftim.

Aty thuhej gjithashtu se maskat mund të prodhohen edhe për institucionet tjera nëse është e nevojshme./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara