Grabitet shoferi i postës në fshatin Duhël, hajnat e kërcënojnë dhe i marrin zarfa me para

11:23 | 24 Tetor 2025
E.K

Një plaçkitje e armatosur ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Duhël, afër daljes së autostradës.

Lajmin për Arbresh.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se një person 44-vjeçar, që drejtonte një automjet të një poste private, është ndaluar dhe sulmuar nga disa persona të armatosur.

Tutje, ai tha se të dyshuarit i kanë marrë disa zarfa të mbyllur, që dyshohet se përmbanin para.

“Sot, më datë 24.10.2025, rreth orës 07:45, një person mashkull, 44-vjeçar, ka raportuar në polici se derisa ishte duke drejtuar një automjet tip kombi, postë private, në dalje të autostradës në fshatin Duhel, është ndaluar dhe sulmuar nga persona të panjohur. Të dyshuarit, nën kërcënim dhe me forcë, i kanë marrë disa zarfa të mbyllur që dyshohet se përmbanin para. Viktima nuk ka lëndime dhe nuk e di shumën e saktë të parave të grabitura, pasi zarfat kanë qenë të mbyllura. Policia ka reaguar menjëherë dhe është duke u marrë intensivisht me rastin. Deri më tani dyshohet se ishin disa persona dhe ishin të armatosur, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të tipit Golf. Hetimet janë në zhvillim me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve”, tha ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale