GLPS: Mirëpresim fillimin e heqjes së masave nga BE-ja, veprim i vonuar

13:48 | 23 Maj 2025
E.K

Grupi për Studime Juridike e Politike ka mirëpritur vendimin e BE për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, ndonëse e kanë quajtur këtë si veprim të vonuar. GLPS-ja thotë se Kallas si shefe e diplomacisë evropiane ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së.

Ata thonë se masat ishin të padrejta, vendosja e tyre ishte gabim, ndërsa lënia e tyre në fuqi për një kohë kaq të gjatë ishte gabim edhe më i madh. Madje sipas këtij grupi, masat e dëmtuan rëndë edhe kredibilitetin e BE-së.

“GLPS ka qenë organizata e vetme që ka monitoruar masat dhe ka publikuar hulumtim mbi to. Sipas vlerësimit tonë masat i kanë kushtuar Kosovës së paku mbi 100 milionë euro në kosto oportune, kryesisht në projekte të IPA të dedikuara për sundim të ligjit, demokraci, infrastrukturë etj. Po ashtu, vlen të ceket se ato edhe kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE. Më konkretisht, përderisa autorët e sulmit të Banjskës enden të lirë në Beograd dhe takohen me ministra shtetërorë, qytetarët e Kosovës të jenë nën masa të BE”.

GLPS vlerëson se formimi i institucioneve do të krijonte momentum pozitiv për heqjen e plotë të këtyre masave dhe se vetëm heqja e plotë e tyre do të mund të krijonte vullnet të mirë për përshpejtimin e reformave në rrafshin e integrimit evropian e sidomos në dialog me Serbinë.

“Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së. Fillimi i heqjes së këtyre masave përbën ogur të bardhë dhe shpresojmë që ky është një sinjal pozitiv për rikthimin e balancit në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi”.

Kanë thënë se do të vazhdojë monitorimin e masave deri në heqjen e plotë të tyre dhe integrimin evropian në përgjithësi./rtk

Të ngjashme

Foto lajm