Gjykata Themelore e Prishtinës neglizhon ekzekutimin e dënimeve për persona të fuqishëm

17:03 | 1 Nëntor 2016
Gita

Ka kaluar më shumë se një muaj  që kur Gjykata Supreme dha aktgjykimin e saj ndaj anesteziologut Sokol Hajdini, njërit nga tre të dënuarit e rastit “Medicus”, por ky vendim ende nuk ka gjetur zbatim. Krejt kjo si pasojë e mos koordinimit të organeve të sistemit të drejtësisë, e cila gjë po u mundëson të dënuarve  ikjen nga vuajtja e dënimit.

Arsyeja pse nuk po zbatohet ky vendim sipas zëdhënësja së Gjykatës Themelore në Prishtinë,  Mirlinda Gashi, është se kjo gjykatë ende nuk ka pranuar asnjë vendimi nga Supremja  rreth rastit të Sokol Hajdinit.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar asnjë vendim nga Gjykata Supreme lidhur me këtë çështje”, është shprehur ajo për “Arbresh.info” .

Ndërkohë, krejt të kundërtën thonë zyrtarë të Gjykatës Supreme.  Zyrtarët  për informim të kësaj gjykate thonë se ky vendim ka një muaj që i është dorëzuar  Gjykatës Themelore.

“Vendimi i Gjykatës Supreme PA II 2/2016,  lidhur me ketë rast i është dorëzuar Gjykatës Themelore me 04.10.2016.  Për të gjitha veprimet tjera procedurale është përgjegjëse Gjykata Themelore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Muaj më parë pas plotfuqishmërisë së vendimit të dënimit me nga 8 vjet burgim për mjekun Lutfi Dervishi dhe djalin e tij, Arban Dervishi, të njëjtit u arratisën si pasoj e mos ekzekutimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës së Apelit nga  themelorja. Të njëjtit gjenden në arrati dhe ndaj tyre është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar.

Të njëjtën gjë, Gjykata Themelore po lejon të ndodh  edhe  me të dënuarin e tretë të këtij rasti  Sokol Hajdini,  të cilit Gjykata e Apelit  ia pati rritur dënimin nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë,  në 5 vjet burgim. Kjo gjykatë i pati dhënë të drejtë ankese Hajdinit në shkallën e tretë, e cila  muajin e kaluar e vërtetoj dënimin e Apelit.

Gjykata Supreme sipas vendimit të saj ka konstatuar se  ka  prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Sokol Hajdini me dijeni ishte përfshirë në transplantimin e paligjshëm të veshkave.

Megjithatë, përfshirja në transplantimin e paligjshëm të veshkave, sipas  Supremes nuk nënkupton automatikisht dijeninë dhe dashjen për t’u përfshirë në trafikim me njerëz. Andaj, Gjykata Supreme i konfirmoi konkluzionet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me veprën penale të trafikimit me njerëz dhe mosekzistimin e elementeve të veprës penale të krimit të organizuar.

Anesteziologu Hajdini, së bashku me të pandehurit e tjerë ishte akuzuar për Trafikim të njerëzve, Krim të organizuar, Ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, dhe Lëndim të rëndë trupor.  /Gita Lushi/ Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale