Gjykata Supreme e Speciales refuzon kërkesën e Shalës për zhdëmtimin e viktimave

15:40 | 26 Qershor 2026
E H

Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga Pjetër Shala, e cila kishte të bënte me vendimin për zhdëmtimin e viktimave.

Vendimi u mor më 25 qershor 2026 nga paneli i përbërë nga kryegjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Kristinë van den Wyngaert dhe Daniel Fransen.

Në kërkesën e tij, Shala pretendonte se Paneli i Apelit kishte bërë shkelje kur refuzoi ankesën e mbrojtjes ndaj Urdhrit për Zhdëmtime, të nxjerrë më 29 janar 2026.

Megjithatë, Gjykata Supreme i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e tij, duke lënë në fuqi vendimin e Panelit të Apelit, si edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.

Krahas kësaj procedure, Shala ka ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore. Ai i është drejtuar Dhomës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se gjatë procesit penal i janë shkelur të drejtat themelore. Po ashtu, ai pret një vendim nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta pranojë për shqyrtim kërkesën e tij kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale