Gjykata refuzon pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë – ZRRE fton bizneset të dalin në treg të lirë

14:49 | 9 Korrik 2025
E.K

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për ta ndaluar përkohësisht liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, këto kërkesa ishin bërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK), të cilët kundërshtonin vendimin e ZRRE-së për daljen e disa bizneseve në tregun e lirë të energjisë.

Sipas ZRRE-së, në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar përfitimet e liberalizimit, përfshirë nxitjen e konkurrencës mes furnizuesve, presionin për çmime më të ulëta dhe shërbime më cilësore, mundësinë për oferta më të favorshme për konsumatorët dhe rritjen e efikasitetit në sektorin energjetik.

“Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar provat e paraqitura nga paditësit, përfshirë formularët e deklarimit vjetor për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe ka konstatuar se bizneset në fjalë nuk kanë dëshmuar se kanë më pak se 50 punëtorë, ndonëse kanë vërtetuar qarkullim vjetor nën 10 milion euro. Në mungesë të përmbushjes së të dy kritereve njëkohësisht, Gjykata ka konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi. ZRRE rikujton se obligimet ligjore që dalin nga Neni 3 pika 1.72 dhe neni 37 i Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, i cili është në fuqi që nga viti 2016 dhe përcakton qartë se ndërmarrjet ekonomike që kanë më shumë se 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal, dhe duhet të furnizohen në tregun e lirë të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

ZRRE u bën thirrje të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret ligjore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të gjetur furnizues në tregun e lirë, duke shfrytëzuar përfitimet që ofron konkurrenca./Arbresh.info