Gërvalla priti në takim gazetarët nga Ukraina

18:26 | 4 Shkurt 2026
Q L

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim gazetarët nga Ukraina, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarë në Rezidencë”, projekt ky që mbështetet dhe financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes MPJD-së.

Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla u shpreh e kënaqur që institucionet e Kosovës kanë mbështetur këtë projekt, i cili u ka ofruar gazetarëve ukrainas siguri dhe mbrojtje në territorin e Republikës së Kosovës, duke u mundësuar njëkohësisht vazhdimin e punës së tyre profesionale.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ukrainas, ministrja Gërvalla vlerësoi lart punën e tyre të përditshme, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë profesionale, si dhe besimin e palëkundur se mbrojtja e fjalës së lirë është pjesë thelbësore e mbrojtjes së vetë lirisë. Ajo theksoi se Kosova mbetet një ambient mikpritës dhe një shtëpi e dytë për ta, duke i çmuar energjinë pozitive dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në informimin e drejtë dhe të pavarur.

Ministrja Gërvalla rikonfirmoi po ashtu qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës në luftën e saj për paqe, liri dhe demokraci, duke qëndruar pranë rezistencës dhe vendosmërisë së popullit ukrainas në mbrojtje të vendit dhe sovranitetit të tij. Ajo theksoi se solidariteti i Kosovës me Ukrainën buron nga një përvojë e përbashkët historike dhe nga bindja se fjala e lirë dhe e drejta për të jetuar i lirë janë vlera të shenjta dhe të panegociueshme.

Duke ritheksuar se historia e luftës në Kosovë ngjason me atë të Ukrainës, ministrja Gërvalla u shpreh se Kosova qëndron gjithmonë krah popujve që mbrojnë dhe luftojnë për tokat e tyre. Ajo e cilësoi Kosovën si shtëpi të dytë për gazetarët ukrainas, të cilët tashmë po hyjnë në vitin e katërt të qëndrimit të tyre në Kosovë.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, si dhe Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), dy organizata të cilat kanë implementuar programin për gazetarët ukrainas.

Të dy ata shprehën falënderim dhe mirënjohje ndaj ministrisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë katër viteve të zbatimit të programit, duke e cilësuar atë si një nga programet më kredibile të këtij formati në rajon dhe më gjerë.

Që nga viti 2022, në kuadër të projektit “Gazetarë në Rezidencë”, Kosova ka pranuar gjithsej 19 gazetarë nga Ukraina. Nëntë prej tyre janë kthyer në vendin e tyre, ndërsa aktualisht në Kosovë vazhdojnë qëndrimin 10 gazetarë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale