“GEKOS” sjell softuerët e arkave fiskale nga Serbia

11:07 | 9 Mars 2018
Arbresh.info

Kompania kosovare e arkave fiskale “GEKOS” me pronar Enver Maliqin, ka lidhur kontratë biznesi tash e disa vjet me kompaninë serbe “Abis SOFT”, me pronar Slobodan Stanishiç.

Kompania “GEKOS” e cila ka pasur monopolin për tregun kosovar për arkat fiskale, i ka mundësuar kompanisë serbe me seli në Beograd “ABIS Soft” që të  kontrolloj komplet qarkullimin e taksapaguesve kosovarë. Kjo pasi që kompania serbe i punon softuerët dhe programin për fiskalizim për tregun kosovar, shkruan arbresh.info

Përveç kësaj, “ABIS Soft” bën edhe mirëmbajtjen e softuerëve dhe programit në rast të ndonjë defekti, gjë që ia mundëson të ketë informata të ripërtërishme.

Përveç softuerëve “ABIS Soft” është kontraktuar nga “GEKOS”, që të punojë për tregun kosovar edhe programin PGM të pajisjeve fiskale si (printer dhe regjistrat para të gatshme), peshore dhe pajisje të tjera.

PGM është një program që mundëson funksionimin e lehtë me pajisjet fiskale, peshore dhe pajisje të tjera për të menaxhuar shitjen.

Me ndihmën e këtij programi është e mundur për të përgatitur pajisjen për operim. Çdo gjë që duhej bërë me ndihmën e udhëzimeve të komplikuara për pajisjet tani përfundon përdorimin e programit PGM.

PGM mbështet punën me pajisjet nën ligjet e Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Republika Serbe, BiH dhe Kosovës.

Kompania e Slobodan Stanishiq, përveç Kosovës ka marrë pjesë në zhvillimin e pajisjeve të veçanta dhe shumë të kërkuara fiskale dhe softuerëve edhe për tregjet e Serbisë , Republikës Srpska , Bullgarisë, Rumanisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

ABIS Soft, konfirmon në uebfaqe biznesin me kosovarët

Abissoft.rs, është uebfaqja e kompanisë e cila është kontraktuar nga “GEKOS”. Në sajtin e tyre kjo kompani konfirmon se ka punuar dhe ofruar programin dhe softuerin PGM KS – FP 550 KS.

“PGM mbështet punën me pajisjet nën ligjet e Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë, Mali të Zi, Republikës Serbe si Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës”, thuhet në sajtin e kompanisë serbe ABIS Soft me seli në Beograd.

ABIS Soft e cila udhëhiqet nga Slobodan Stanishiç, është themeluar në vitin 2007, si pjesë e një zinxhiri ndërkombëtar të kompanive të softuerit.

Kjo kompani biznesin kryesor është duke u ofruar bizneseve të ndryshme nëpërmjet zhvillimit të një portofoli të gjerë të softuerëve, duke përfshirë shoferë për pajisje fiskale.

Si pjesë e SHDSH Group , ABIS Soft gjithashtu ofron shërbime këshilluese dhe zbatimin e zgjidhjeve të plota për të gjitha aktivitetet e biznesit të përmendura më lart.

ATK-ja mban fshehtë informatat për softuerët   

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila arkëton dhe mbledh paratë nga tatimpaguesit, ka deklaruar se Operatorët Ekonomik e kanë të drejtën që nga cilido vend dhe cilindo prodhues të bëjnë marrëveshje për të prodhuar Pajisje Elektronike Fiskale konform Specifikave Funksionale dhe Teknike të cilat janë përgatitur nga Republika së Kosovës, konkretisht Administrata Tatimore e Kosovës.

“Softuerët të cilët janë të ndërtuar/zhvilluar dhe që ndihmojnë Pajijsen Fiskale të kryen të gjitha funksionet e veta si: regjistrimet e çdo transaksioni, ruajtjen e të dhënave, leximin e të dhënave, shtypjen e kuponit fiskal, ndërlidhjen dhe transmetimin e të dhënave  nga PEF në ATK, si dhe funksione tjera të nevojshme dhe të domosdoshme janë të zhvilluar nga vetë Prodhuesit e këtyre Pajisjeve Fiskale, pasi që duhet të bëhet përshtatja dhe ndërlidhja e plotë e moduleve të Pajisjeve Fiskale”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga zyra për informim e ATK-së.

 “GEKOS” nuk jep detaje për softuerë

Zyrtari për informim i “GEKOS”, Kestrin Kumnova, në përgjigjet e dërguara në “Arbresh.info” ka treguar vetëm për aparatet e arkave fiskale që i marrin nga kompania DATECS, por nuk ka dhënë detaje për softuerët.

 Në ditët në vazhdim mund të lexoni;

Se si arriti kjo kompani të mbaj monopolin për arkat fiskale, cilët janë personat e afërt që punojnë në ATK, sa ka qenë marzha e fitimit të kësaj kompanie nga një aparat fiskal, me çfarë çmimi e ka zhdoganuar një aparat fiskal, dhe shumë detaje tjera…

 

Shpërndaje në rrjete sociale