Gecaj: Fëmijët e Vetëvendosjes s’po e kuptojnë rëndësinë e shtetit

01:16 | 20 Tetor 2015
Gita

Bajram Gecaj, zëvendësministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal, i cili ka qenë caku i radhës i sulmit me vezë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ata që e sulmuan nuk e kanë të qartë se sa i rëndësishëm është shteti dhe arritja e konsolidimit të tij.

“Këto veprime që po i bën Lëvizja Vetëvendosje janë aksione të “Brigadave të Kuqe” (organizatë paramilitare, përgjegjëse për një numër sulmesh kriminale në Itali gjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta). Ata dërguan 3 vajza shumë të reja në moshë, e kjo nënkupton se ata po i mashtrojnë fëmijët të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e ndërtimit të shtetit. Duke mos e lënë shtetin të funksionojë normal, ata po e qojnë në vend thënien e kamotshme të Serbisë se kosovarët s’dinë të ndërtojnë shtet”, është shprehur Gecaj.

Ai në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, gjatë intervistës Ballë për Ballë me Shkodran Gajrakun, ka deklaruar se marrëveshjet që qeveria ka lidhur me Serbinë në Bruksel, s’janë më të mirat, por Kosova s’kishte alternativë tjetër.

“Argumentet që Lëvizja Vetëvendosje thotë për këto marrëveshje nuk qëndrojnë. As ne nuk i kemi dëshiruar këto marrëveshje, mirëpo ato janë të domosdoshme”.

Sipas tij, nëse opozita do të donte t’i kthente mbrapa proceset që kanë nisur për normalizimin e raportit në mes Kosovës dhe Serbisë, këtë gjë do të duhej ta bënte përmes legjislativit.

“Tani situata është shumë e qartë. Kemi një ligj që është votuar në vitin 2013 dhe ai ligj mund të rishqyrtohet vetëm nga parlamenti. Ligji mund të tërhiqet në parlament nëse opozita arrin që të sigurojë 2/3 e votave të deputetëve pro këtij ndryshimi. Tërheqja e nënshkrimit të Isa Mustafës nga marrëveshjet tashmë të lidhura, përbën shkele të ligjit, dhe kryeministri s’do ta bëjë një gjë të tillë”, ka konstatuar zëvendësministri i Pushtetit Lokal.

Duke folur për kërkesën e drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje që marrëveshjet që u lidhën në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian të hidhen në referendum, Gecaj ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur.

“Ne s’kemi të drejtë të dalim në referendum sepse s’kemi një ligj për referendumet. Me të drejtë s’kemi një ligj të tillë, për shkak se shteti i Kosovës është projekt i bashkësisë ndërkombëtare. Pavarësisht luftës çlirimtarë të UÇK-së, s’do të mund ta bënim shtetin të vetëm, prandaj edhe marrëdhëniet me ta s’mund të prishen se po kërkon Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Gecaj ka qenë i sulmuari i radhës me vezë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që para tij me vezë ishte gjuajtur edhe kryeministri Isa Mustafa dy herë – një herë gjatë seancës parlamentare ku pritej të raportonte për marrëveshjet Prishtinë Beograd dhe një herë gjatë një ngjarjeje në Podujevë – e po ashtu edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, derisa ai po dilte nga një lokal i Prishtinës, i shoqëruar nga gruaja e tij.

Gecaj beson se sulmi ndaj tij ka ardhur pasi që ai në një takim me kryetarë të komunave me shumicë serbe, ishte fotografuar në një tryezë me ta e në mur në një kornizë qëndronte i varur flamuri i shtetit serb.

Shpërndaje në rrjete sociale