Një analizë e publikuar nga Instituti GAP ka ngritur shqetësime lidhur me financimin e mësimdhënësve në komunat e Kosovës, duke vlerësuar se zbatimi më strikt i formulës së grantit të arsimit ka nxjerrë në pah mospërputhje të mëdha ndërmjet numrit të mësimdhënësve të paraqitur nga komunat dhe atyre të aprovuar për financim.
Sipas analizës “Numri i mësimdhënësve në komuna: tepricë apo nevojë?”, Ministria e Financave, duke u bazuar në rekomandimet dhe normat e Ministrisë së Arsimit, ka llogaritur grantin e arsimit për vitin 2026 sipas numrit aktual të nxënësve dhe raportit nxënës–mësimdhënës.
Të dhënat tregojnë se për vitin 2026 janë larguar nga financimi i grantit të arsimit gjithsej 3.101 mësimdhënës në nivel vendi. “Për 25 komunat e trajtuara në këtë analizë, komunat kanë paraqitur 27,282 mësimdhënës për vitin 2026, ndërsa janë aprovuar 24,200. Si rezultat, 3,082 mësimdhënës, apo rreth 11.3% e numrit të paraqitur, kanë mbetur jashtë financimit të grantit”, thuhet në raportin e Institutit GAP.
Ky institut vlerëson se vendimi do të krijojë barrë të konsiderueshme për buxhetet komunale. Sipas analizës, kostoja e mbulimit të pagave për mësimdhënësit që mbeten jashtë financimit tejkalon 24 milionë euro vetëm për vitin 2026.
Në raport thuhet se presioni më i madh financiar bie mbi komunat e Gjilanit, Gjakovës, Pejës, Malishevës, Podujevës, Rahovecit, Suharekës, Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut.
Analiza thekson se problemi lidhet edhe me rënien e vazhdueshme të numrit të nxënësve. Sipas të dhënave, në 25 komunat e analizuara numri i nxënësve ka rënë nga 300.429 në vitin shkollor 2023/2024 në 279.465 në vitin 2026/2027, që paraqet një rënie prej rreth 21 mijë nxënësish.
Instituti GAP rekomandon që komunat të ndërmarrin një proces të mirëplanifikuar të riorganizimit të rrjetit shkollor dhe menaxhimit të stafit arsimor, në mënyrë që sistemi i arsimit parauniversitar të përshtatet me ndryshimet demografike dhe kapacitetet financiare.
Policia dhe EULEX-i në Jabukë të Zubin Potokut
Mbi 123 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionimin e teks...
Anulohen seancat e gushtit në rastin Thaçi dhe të tjerët për...
Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thelluara me LDK-në...
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...