Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që parashihte kalimin e obligueshëm të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Përmes një komunikate, G7 e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës si një konfirmim të shqetësimeve të ngritura më herët nga kjo organizatë dhe nga shumë ndërmarrje të vogla e të mesme në vend. Sipas G7-së, vendimi i ZRrE-së për dalje të menjëhershme në tregun e lirë ishte i nxituar, i padrejtë dhe jo i përshtatshëm për një numër të madh të bizneseve që nuk kishin kapacitete të mjaftueshme për t’u përshtatur me kushtet e reja.
“Ky proces i imponuar rrezikonte mbylljen e dhjetëra bizneseve të udhëhequra nga gra dhe cenonte thellësisht barazinë ekonomike dhe mundësinë për pjesëmarrje të drejtë në treg”, thuhet në komunikatën e G7-së.
Dhoma Ekonomike e Grave thekson se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të trajtohet si një proces i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës, me politika kalimtare, mbështetje financiare, asistencë teknike dhe informim të qartë për të gjitha palët e interesit. G7 ka theksuar se një treg nuk mund të jetë vërtet i lirë nëse krijon përparësi vetëm për bizneset e mëdha dhe lë jashtë ato të vogla.
Kjo organizata u ka bërë thirrje autoriteteve që në proceset e ardhshme të politikëbërjes energjetike të përfshijnë në mënyrë të strukturuar dhe efektive komunitetin e bizneseve, përfshirë ato të udhëhequra nga gratë.
“Vendimi i Gjykatës është një fitore për drejtësinë ekonomike dhe një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së besimit në institucionet rregullatore. G7 do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesin e grave ndërmarrëse dhe të gjithë bizneseve që kërkojnë një treg të drejtë, të hapur dhe të qëndrueshëm”, thuhet tutje në komunikatë.
Jude Bellingham humb disa përballje të rëndësishme pas lëndi...
Arrestohet grupi pas sulmeve në aeroportin e Damaskut, armët...
Takim sekret në Pentagon, SHBA-të dhe Izraeli përballë Irani...
Bora dhe ngricat, Komuna e Prishtinës: Ekipet janë në terren...
Juventusi fiton me rezultat të thellë në udhëtim tek Parma
Atentat në Lezhë, i riu qëllohet me breshëri plumbash brenda...