G7 mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale për tregun e lirë të energjisë

09:03 | 31 Korrik 2025
E.K

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që parashihte kalimin e obligueshëm të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Përmes një komunikate, G7 e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës si një konfirmim të shqetësimeve të ngritura më herët nga kjo organizatë dhe nga shumë ndërmarrje të vogla e të mesme në vend. Sipas G7-së, vendimi i ZRrE-së për dalje të menjëhershme në tregun e lirë ishte i nxituar, i padrejtë dhe jo i përshtatshëm për një numër të madh të bizneseve që nuk kishin kapacitete të mjaftueshme për t’u përshtatur me kushtet e reja.

“Ky proces i imponuar rrezikonte mbylljen e dhjetëra bizneseve të udhëhequra nga gra dhe cenonte thellësisht barazinë ekonomike dhe mundësinë për pjesëmarrje të drejtë në treg”, thuhet në komunikatën e G7-së.

Dhoma Ekonomike e Grave thekson se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të trajtohet si një proces i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës, me politika kalimtare, mbështetje financiare, asistencë teknike dhe informim të qartë për të gjitha palët e interesit. G7 ka theksuar se një treg nuk mund të jetë vërtet i lirë nëse krijon përparësi vetëm për bizneset e mëdha dhe lë jashtë ato të vogla.

Kjo organizata u ka bërë thirrje autoriteteve që në proceset e ardhshme të politikëbërjes energjetike të përfshijnë në mënyrë të strukturuar dhe efektive komunitetin e bizneseve, përfshirë ato të udhëhequra nga gratë.

“Vendimi i Gjykatës është një fitore për drejtësinë ekonomike dhe një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së besimit në institucionet rregullatore. G7 do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesin e grave ndërmarrëse dhe të gjithë bizneseve që kërkojnë një treg të drejtë, të hapur dhe të qëndrueshëm”, thuhet tutje në komunikatë.